NIS SOT MATURA SHTETËRORE 2026, MBI 26.600 MATURANTË I NËNSHTROHEN PROVIMIT TË GJUHËS SË HUAJ

NIS SOT MATURA SHTETËRORE 2026, MBI 26.600 MATURANTË I NËNSHTROHEN PROVIMIT TË GJUHËS SË HUAJ

Mbi 26.600 maturantë në të gjithë vendin nisin sot rrugëtimin e provimeve të Maturës Shtetërore 2026 me testin e parë, atë të Gjuhës së Huaj.

Sipas kalendarit të publikuar nga Ministria e Arsimit, provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë do të zhvillohet më 9 qershor, ai i Matematikës më 16 qershor, ndërsa më 23 qershor maturantët do t’i nënshtrohen provimit me zgjedhje, duke përmbyllur kështu procesin e Maturës Shtetërore.

Me rastin e nisjes së provimeve, Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u ka përcjellë një mesazh urimi dhe inkurajimi maturantëve, duke vlerësuar punën dhe përgatitjen e tyre gjatë gjithë vitit shkollor.

Në mesazhin e saj, Kumbaro theksoi se nxënësit kanë kaluar një proces të gjatë përgatitor, duke përfshirë testet model, testet provë, orët e këshillimit me mësuesit dhe përgatitjen emocionale për këtë moment të rëndësishëm.

“Ju keni punuar fort dhe ia keni dalë me sukses të vini në derën e provimit. Suksesi do të jetë me ju! Mos e humbni besimin, sepse jeni më të mirët”, u shpreh ministrja.

Ajo bëri të ditur gjithashtu se për mbarëvajtjen e procesit janë angazhuar rreth 2 mijë mësues administratorë të provimeve dhe 170 monitorues nga Ministria e Arsimit, të cilët do të ndjekin nga afër zhvillimin e testeve në të gjithë vendin.

Provimet e Maturës Shtetërore do të zhvillohen në 144 qendra provimi të ngritura në shkolla në të gjithë Shqipërinë. Ndërkohë, 650 vlerësues do të angazhohen në procesin e korrigjimit të testeve.

Matura Shtetërore mbetet një nga etapat më të rëndësishme në rrugëtimin akademik të nxënësve, pasi rezultatet e saj shërbejnë si bazë për vijimin e studimeve universitare dhe orientimin drejt karrierës së ardhshme.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *