Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin Bulqizë-Klos, në vendin e njohur si “Plani i Bardhë”, ku për pasojë një person ka humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur.
Sipas informacionit paraprak, në aksident janë përfshirë dy automjete që drejtoheshin nga shtetasit Xh. S. dhe S. C. Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa viktimë ka mbetur shtetasi H. Gj., pasagjer në automjetin që drejtohej nga S. C.
Si pasojë e aksidentit, janë transportuar në spital për ndihmë mjekësore dy drejtuesit e mjeteve, si dhe dy pasagjerë të tjerë, të cilët ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.
“Në aksin rrugor ‘Bulqizë-Klos’, në vendin e quajtur ‘Plani i Bardhë’, janë përfshirë në aksident rrugor dy automjete me drejtues shtetasit Xh. S. dhe S. C. Si pasojë, ka humbur jetën shtetasi H. Gj., pasagjer në automjetin që drejtohej nga shtetasi S. C. Gjithashtu janë transportuar për ndihmë mjekësore në spital dy drejtuesit e automjeteve dhe dy pasagjerë, të cilët janë në kujdesin e mjekëve”, njoftoi policia.
Grupi hetimor vijon punën për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.
