Një ngjarje tragjike ka tronditur Greqinë, ku një 20-vjeçar dhe babai i tij 46-vjeçar humbën jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor në Patra.
Sipas raportimeve, babë e bir po udhëtonin me motor kur, për arsye ende të paqarta, drejtuesi humbi kontrollin e mjetit. Motori doli nga rruga dhe u përplas me barrierat mbrojtëse anësore, duke u përmbysur më pas.
Për shkak të plagëve të rënda të marra, 20-vjeçari ndërroi jetë në vendngjarje. Ndërkohë, 46-vjeçari u transportua me urgjencë në Spitalin Universitar të Patras në Rio, ku pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe ndërroi jetë pak më vonë.
Autoritetet greke kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e plota të aksidentit tragjik që i mori jetën babait dhe djalit të tij.
