Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në platformën X, duke paralajmëruar se nesër në orën 10:00 do të japë sqarime lidhur me një projekt që, sipas tij, është duke u përgatitur prej disa vitesh dhe nuk ka asnjë lidhje me pretendimet që kanë qarkulluar së fundmi.
Në reagimin e tij, Rama përgëzoi lidershipin e Policisë së Shtetit për mënyrën se si ka menaxhuar situatën, duke vlerësuar reagimin e shpejtë dhe të saktë ndaj ngjarjeve të fundit.
“Nesër e kam radhën unë për të folur për një projekt të jashtëzakonshëm për Shqipërinë, për të cilin punohet prej disa vitesh tanimë dhe i cili nuk ka asnjë lidhje me disa të pavërteta të mëdha, që janë hedhur në qarkullim ditët e fundit. Ndërkohë e përgëzoj lidershipin e Policisë së Shtetit për reagimin e shpejtë e të saktë”, shkroi ai.
Kreu i qeverisë theksoi gjithashtu se qasja e institucioneve duhet të jetë toleranca zero ndaj çdo shkeljeje të ligjit dhe ndaj çdo veprimi që cenon besimin e qytetarëve te uniformat blu.
“Qasja e re e tolerancës zero ndaj çdo uniforme blu që cënon besimin e publikut, është e duhura. Për vetë projektin dhe të vërtetat e të pavërtetat rreth tij, më shumë nesër në 10:00. Live për të gjithë të interesuarit natyrisht”, u shpreh Rama.
