Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në zonën e Kaninës, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën, duke shkaktuar plagosjen e rëndë të njërit prej drejtuesve.
Sipas informacioneve paraprake, përplasja ka qenë e fortë, ndërsa njëri nga drejtuesit e mjeteve ka mbetur i bllokuar brenda automjetit të dëmtuar rëndë.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë ekipet e emergjencës, si dhe forcat zjarrfikëse të Vlorës, të cilat kanë ndërhyrë për nxjerrjen e të plagosurit nga mjeti. Pas operacionit të shpëtimit, ai është transportuar me urgjencë drejt spitalit, ku po merr ndihmën mjekësore në gjendje të rëndë.
Policia ka rrethuar zonën dhe ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, ndërsa po punohet për përcaktimin e përgjegjësive lidhur me ngjarjen.
Autoritetet pritet të japin më shumë detaje pas përfundimit të veprimeve hetimore në vendngjarje.
