Protesta kundër kryeministrit Edi Rama është shtrirë edhe jashtë kufijve të vendit, me një tubim të organizuar nga shqiptarët në Parma të Italisë.
Të hënën, një grup qytetarësh shqiptarë u mblodhën në këtë qytet për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj qeverisë, duke kërkuar largimin e kryeministrit dhe ndryshime në drejtimin politik të vendit.
Pjesëmarrësit në protestë ngritën shqetësime për situatën politike dhe ekonomike në Shqipëri, duke e lidhur pakënaqësinë e tyre me korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes ndër vite.
Sipas organizatorëve, qëllimi i tubimit ishte përcjellja e një mesazhi nga diaspora shqiptare, e cila, sipas tyre, mbetet e shqetësuar për zhvillimet në vend dhe kërkon më shumë transparencë dhe përgjegjësi institucionale.
Protesta në Parma vjen si pjesë e një sërë reagimesh të diasporës shqiptare në qytete të ndryshme europiane, ku janë zhvilluar tubime të ngjashme me të njëjtën kërkesë politike.
