Pas disa muajsh heshtjeje në sagën që ka mbajtur të mbërthyer opinionin publik në Argjentinë dhe më gjerë, ka ardhur një zhvillim i bujshëm në përplasjen ligjore mes Mauro Icardit dhe ish-bashkëshortes së tij, Wanda Nara.
Sipas mediave argjentinase, futbollisti ka shënuar një fitore të rëndësishme në gjykatat e Milanos, ku Wanda Nara kishte kërkuar që ish-bashkëshorti i saj t’i paguante një shumë të caktuar si pension ushqimor.
Megjithatë, pas shqyrtimit të dokumentacionit financiar të të dy palëve, gjykata italiane vendosi në favor të Icardit, duke rrëzuar kërkesën e biznesmenes dhe prezantueses televizive.
Sipas vendimit, nuk ekzistojnë kushtet ligjore që Wanda Nara të përfitojë mbështetje financiare për veten, pasi të ardhurat dhe pasuritë e saj rezultojnë më të larta se ato të futbollistit.
“Gjykatësi italian, pasi shqyrtoi gjendjen financiare të Wandës, arriti në përfundimin se Mauro nuk duhet t’i paguajë aliment, sepse ajo vetë ka të ardhura shumë të larta dhe shumë prona. Ajo është më e pasur se Mauro, prandaj nuk mund të kërkojë aliment për veten e saj. Ishte absurde”, deklaroi Lara Piro, një nga avokatet e Icardit.
Por vendimi nuk u ndal vetëm këtu. Gjykata vendosi gjithashtu që, duke qenë se të dy gëzojnë një gjendje të fortë ekonomike, Wanda duhet të kontribuojë në mënyrë të barabartë për shpenzimet që lidhen me rritjen dhe mbështetjen e fëmijëve të tyre.
“Meqenëse është kaq e pasur, është e detyruar të paguajë gjysmën e kostos së mbështetjes së fëmijëve. Nuk mund të bjerë e gjithë barra mbi Mauron, sidomos kur ajo ka më shumë pasuri se ai”, shtoi avokatja.
Gjatë procesit gjyqësor, Wanda Nara kishte kërkuar pezullimin e çështjes dhe zbatimin e legjislacionit argjentinas, por të dyja kërkesat u refuzuan nga gjykata italiane.
Sipas arsyetimit të gjyqtares, zbatimi i ligjit të vendit ku zhvillohet procesi gjyqësor përbën zgjidhjen më të përshtatshme dhe atë që mbron më mirë palën më të cenueshme, një parim i mbështetur edhe nga jurisprudenca evropiane.
Në vendimin përfundimtar thuhet se: “Nuk ekzistojnë kushtet për njohjen e të drejtës së mbështetjes financiare për znj. Nara, duke marrë parasysh moshën e saj të re, aftësitë profesionale të provuara përmes të ardhurave që siguron, si dhe situatën e saj pasurore dhe financiare”.
Gjykata vuri në dukje gjithashtu se të ardhurat e Icardit varen nga performanca sportive dhe kohëzgjatja e kontratave të tij profesionale, ndërsa e ardhmja e sulmuesit mbetet ende e paqartë pas përfundimit të bashkëpunimit me Galatasarayn.
Për Wandën, ky vendim konsiderohet një goditje e rëndë në betejën ligjore me ish-bashkëshortin. Megjithatë, saga mes dy ish-partnerëve duket se është larg fundit, pasi në Argjentinë mbeten ende të hapura procese të tjera gjyqësore mes tyre.
