KTHESË NË ÇËSHTJEN NDAJ DREJTUESES SHQIPTARE TË JPMORGAN/ TSIRAGIOU RANA TËRHEQ PADINË DHE PËRGATIT NJË BETEJË TË RE LIGJORE FEDERALE

KTHESË NË ÇËSHTJEN NDAJ DREJTUESES SHQIPTARE TË JPMORGAN/ TSIRAGIOU RANA TËRHEQ PADINË DHE PËRGATIT NJË BETEJË TË RE LIGJORE FEDERALE

Ish-punonjësi i JPMorgan, Tsiragiou Rana, ka vendosur të tërheqë padinë e ngritur ndaj eprores së tij, Lorna Hajdini, në një gjykatë të shtetit të Nju Jorkut, duke sinjalizuar një kthesë të re në një nga çështjet që ka tërhequr vëmendje të gjerë mediatike muajt e fundit.

Sipas dokumenteve gjyqësore, Rana synon të depozitojë një padi të re dhe më të zgjeruar në një gjykatë federale, ku përveç pretendimeve të mëparshme do të përfshijë edhe akuza për diskriminim racor, hakmarrje dhe shkelje të të drejtave që lidhen me lejet familjare dhe mjekësore.

Avokati i tij i ri, John L. Norinsberg, deklaroi se opinioni publik është keqinformuar lidhur me këtë çështje.

“Publikut i është paraqitur një version i shtrembëruar, i ndërtuar mbi tituj sensacionalë që nuk pasqyrojnë atë që ka ndodhur realisht”, u shpreh ai.

Ekipi i ri ligjor i Ranës, i përbërë nga pesë avokatë, pretendon se ka siguruar prova të reja me rëndësi për procesin, megjithëse pa dhënë detaje konkrete mbi natyrën e tyre.

Njëkohësisht, avokatët e tij kundërshtojnë kundërpadinë për shpifje të ngritur nga Lorna Hajdini, duke argumentuar se disa prej deklaratave të klientit të tyre përbëjnë opinione personale dhe mbrohen nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara.

Nga ana tjetër, avokatja Benita L. Joseph e cilësoi kundërpadinë si një përpjekje hakmarrëse ndaj Ranës, duke theksuar se ai kishte denoncuar raste të pretenduara të racizmit dhe keqtrajtimit në ambientet e punës.

Banka JPMorgan ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat e ngritura, ndërsa deri më tani nuk ka pasur një reagim të menjëhershëm nga përfaqësuesit ligjorë të Hajdinit.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm është fakti se padia e re pritet të depozitohet me emrin e plotë të Ranës dhe jo në mënyrë anonime, pasi gjykata në Manhattan rrëzoi kërkesën e tij për të vijuar procedurat si “John Doe”.

Në dokumentet gjyqësore argumentohet se transferimi i çështjes në gjykatë federale do të shmangë zhvillimin paralel të proceseve gjyqësore dhe do të kursejë kohë dhe burime për të gjitha palët e përfshira. Padia e re pritet të dorëzohet brenda këtij muaji.

Akuzat që tronditën opinionin

Në padinë fillestare, e cila bëri bujë në media, Rana pretendonte se ishte viktimë e një fushate të vazhdueshme presioni seksual dhe nënçmimi racor, ndërsa drejtuesit e bankës kishin injoruar ankesat e tij.

Sipas pretendimeve të tij, eprorja e kishte kërcënuar me ulje të bonusit në rast se ai nuk pranonte të bëhej “skllavi i saj seksual”.

Çështja tërhoqi edhe më shumë vëmendje pasi avokati i tij i parë u tërhoq nga përfaqësimi vetëm pak orë përpara seancës së parë gjyqësore.

Megjithatë, zhvillimet më të fundit tregojnë se Rana dhe ekipi i tij ligjor kanë zgjedhur një strategji të re, duke synuar tashmë ta çojnë përballjen ligjore në nivel federal.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *