Senatori amerikan Bernie Sanders ka reaguar lidhur me protestat kundër projektit turistik të planifikuar në zonën e Zvërnecit, duke e cilësuar situatën si një shembull të asaj që ai e quan “oligarki globale”.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Sanders iu referua protestave të zhvilluara në Shqipëri kundër ndërtimit të një resorti luksoz, projekt i cili lidhet me Jared Kushner dhe partnerë ndërkombëtarë.
“Në Shqipërinë e vogël, mbi njëqind mijë njerëz kanë dalë në rrugë kundër një resorti luksoz shkatërrues për mjedisin, i planifikuar nga dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, dhe partnerët e tij miliarderë nga Katari. Kjo është ajo se si duket oligarkia globale dhe njerëzit po thonë JO”, shkroi Sanders.
Reagimi i senatorit amerikan u shoqërua me një fotografi nga protestat, ku theksohet kundërshtimi i qytetarëve ndaj projektit që ka ndezur debat të gjerë në Shqipëri për ndikimin e tij të mundshëm në mjedis dhe zonat e mbrojtura natyrore.
Projekti i propozuar në zonën e Zvërnecit dhe lagunës së Nartës ka qenë prej kohësh në qendër të diskutimeve mes institucioneve, organizatave mjedisore dhe komuniteteve lokale. Kritikët e tij paralajmërojnë se ndërtimi i një resorti të madh turistik mund të dëmtojë seriozisht ekosistemin dhe biodiversitetin e një prej zonave më të ndjeshme natyrore në vend.
