Është vetëdorëzuar në Komisariatin e Policisë Sarandë ish-oficeri i Policisë, Irakli Koçiaj, i cili ishte shpallur në kërkim që prej datës 25 maj me urdhër të Prokurorisë së Sarandës.
Koçiaj, i cili më herët ka ushtruar detyrën si oficer i krimeve për zonën e Ksamilit, akuzohet për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”, në kuadër të një hetimi që lidhet me dyshime për favorizimin e ndërtimeve pa leje në këtë zonë bregdetare.
Sipas burimeve, ish-efektivi është paraqitur vetë pranë autoriteteve pas disa javësh në arrati. Ai pritet të dalë para Gjykatës brenda dy ditëve të ardhshme për t’u njohur me masën e sigurisë që do të vendoset ndaj tij.
Hetimet e Prokurorisë së Sarandës kanë çuar më herët në arrestimin e tetë ish-efektivëve të Policisë, të dyshuar si pjesë e së njëjtës skemë të abuzimit me detyrën në lidhje me ndërtimet pa leje në Ksamil.
Nga të arrestuarit, dy prej tyre, mes të cilëve edhe ish-shefi i Komisariatit, ndodhen aktualisht në burg me masë sigurie prej 30 ditësh, ndërsa në ditët në vijim pritet rivlerësimi i masave ndaj tyre. Ndërkohë, pesë ish-punonjës të tjerë të policisë janë lënë në masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Prokuroria vijon hetimet për të zbardhur plotësisht përgjegjësitë dhe për të identifikuar çdo person tjetër të përfshirë në këtë çështje që ka tërhequr vëmendje të madhe në qytetin bregdetar të Sarandës.
