Pesë automjete të tonazhit të rëndë janë përfshirë nga flakët pas mesnate në fshatin Shpërdhet, në Kurbin.
Sipas policisë, dyshohet se zjarri është vënë nga persona ende të paidentifikuar, ndërsa ngjarja është raportuar nga administratori i një guroreje në zonë.
“Më datë 04.07.2026, rreth orës 02:30, shtetasi B. A., ka njoftuar se në fshatin Shpërdhet, te gurorja që ka në administrim dhe përdorim, kanë marrë flakë 5 automjete të tonazhit të rëndë, ku dyshohet se zjarri është vënë nga persona ende të paidentifikuar”, njofton policia.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje është ngritur grupi hetimor, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po vijon puna për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin e autorëve dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Autoritetet po hetojnë pistën e zjarrvënies së qëllimshme, ndërsa dëmet materiale konsiderohen të konsiderueshme.

