TRANSPORTI PUBLIK REDUKTON FLOTËN ME 20–30% NGA 1 SHTATORI

TRANSPORTI PUBLIK REDUKTON FLOTËN ME 20–30% NGA 1 SHTATORI

Transporti publik në Shqipëri pritet të përballet me reduktim të ndjeshëm të shërbimit duke nisur nga 1 shtatori 2026, pasi operatorët kanë njoftuar se do të ulin me rreth 20 deri në 30 për qind numrin e mjeteve në qarkullim.

Vendimi, sipas operatorëve të transportit publik, vjen si pasojë e pamundësisë financiare për të përballuar kostot e larta të operimit, veçanërisht shpenzimet për karburant. Sipas tyre, operimi me flotën e plotë është bërë i papërballueshëm dhe reduktimi i mjeteve nuk është një zgjedhje, por një masë e detyruar nga situata financiare.

Në një kërkesë drejtuar Kryeministrisë, operatorët bëjnë të ditur se, nga 1 shtatori, do të detyrohen të operojnë me një flotë të reduktuar në masën 20–30 për qind, në varësi të kapacitetit financiar dhe operacional të secilit operator.

“Reduktimi i mjeteve në qarkullim pritet të sjellë në mënyrë të pashmangshme ulje të frekuencës së shërbimit, rritje të intervaleve ndërmjet mjeteve, mbingarkesë të mjeteve që do të mbeten në qarkullim dhe vështirësi për qytetarët që përdorin çdo ditë transportin publik”, thuhet në njoftimin e operatorëve.

Sipas tyre, kostot e karburantit përbëjnë një nga zërat kryesorë të shpenzimeve të aktivitetit dhe rritja e tyre ka krijuar një situatë që nuk mund të përballohet më me flotën në kapacitet të plotë.

Përballë kësaj situate, operatorët i kanë kërkuar institucioneve përgjegjëse të ndërhyjnë me urgjencë dhe të japin një përgjigje konkrete për kërkesat e tyre, veçanërisht për kompensimin e parashikuar për kostot e karburantit dhe vijimin e mbështetjes financiare për periudhën në vazhdim.

“Operatorët kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë çdo përpjekje për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit, por në kushtet aktuale financiare operimi me 100% të flotës nuk është më i përballueshëm”, theksojnë ata.

Reduktimi i flotës pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë te qytetarët, veçanërisht te ata që përdorin çdo ditë autobusët për të shkuar në punë, shkollë apo për nevoja të tjera. Më pak mjete në qarkullim do të nënkuptojnë intervale më të gjata pritjeje dhe rrezik për mbingarkesë të autobusëve që do të vijojnë të operojnë.

Operatorët paralajmërojnë se, nëse nuk gjendet një zgjidhje financiare, shërbimi publik mund të përkeqësohet më tej. Për këtë arsye, ata kërkojnë që situata të trajtohet me prioritet, me synim garantimin e vazhdimësisë së transportit publik dhe rikthimin sa më shpejt të kapacitetit të plotë operacional.

Masa pritet të hyjë në fuqi më 1 shtator, ndërsa tashmë mbetet në dorë të institucioneve përgjegjëse nëse do të gjendet një zgjidhje që mund të shmangë reduktimin e flotës dhe pasojat që ai mund të sjellë për qytetarët.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *