Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka deklaruar se hetimet ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku vijojnë dhe se çdo vendimmarrje e ardhshme do të bazohet vetëm në prova dhe në ligj, pa u parashpallur paraprakisht.
I pyetur nëse do të ketë një kërkesë të re për heqjen e imunitetit të Ballukut, Braho theksoi se çështja mbetet ende në hetim dhe nuk mund të jepen përfundime paraprake.
“Nuk do të kishte çështje nëse nuk do të kishte shkelje të ligjeve. Ju e keni të qartë qëndrimin e prokurorisë dhe mënyrën si kemi vijuar hetimet pas mospranimit të një kërkese të mëparshme. Provat tregojnë se Prokuroria ka bërë punën,” u shpreh ai.
Braho shtoi se çdo vendim do të merret në bazë të ligjit dhe provave që do të sigurohen gjatë hetimeve, duke marrë parasysh edhe arsyetimin e Kuvendit për rrëzimin e kërkesës së mëparshme.
“Unë nuk mund të parashpall një vendimmarrje. Çështja është në hetim. Ajo që garantoj është se çdo vendim do të jetë i bazuar në ligj dhe prova,” tha kreu i SPAK.

