Kreu i SPAK, Klodian Braho, ka raportuar në Komisionin e Ligjeve mbi punën e institucionit për vitin 2025, duke u ndalur veçanërisht te hetimet për krimet zgjedhore.
Sipas tij, gjatë kësaj periudhe janë hetuar gjithsej 70 procedime penale që lidhen me zgjedhjet, ku 27 persona janë marrë nën hetim. Nga këto, 46 procedime lidhen drejtpërdrejt me zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.
Braho bëri të ditur se deri në qershor 2026, për këto çështje janë dërguar në gjykatë 5 procedime me 9 persona të pandehur, ndërsa 22 procedime të tjera vijojnë ende në fazën e hetimit.
Ai theksoi se trajtimi i krimeve zgjedhore nuk është kufizuar vetëm në administrimin formal të kallëzimeve, por është shoqëruar me verifikim dhe filtrimin e rasteve sipas kompetencës, si dhe ndjekjen e atyre çështjeve ku janë krijuar kushtet për hetim të mëtejshëm.
Sipas raportimit, për herë të parë është zbatuar edhe Strategjia për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve Zgjedhore, e cila synon një qasje më të hershme dhe të koordinuar institucionale.
SPAK vlerëson se bashkëpunimi me Prokurorinë e Përgjithshme dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka ndikuar pozitivisht si në trajtimin e rasteve konkrete, ashtu edhe në forcimin e efektit parandalues ndaj shkeljeve zgjedhore.
Në rekomandimet e tij, Braho theksoi nevojën që Task-Forca për krimet zgjedhore të mos kufizohet vetëm në periudhën zgjedhore, por të nisë të paktën 4 muaj para zgjedhjeve dhe të vijojë deri në përfundimin e procesit të numërimit, për të rritur monitorimin, koordinimin dhe reagimin ndaj shkeljeve të mundshme.
Ai shtoi se përvoja e vitit 2025 duhet të shërbejë për forcimin e protokolleve ndërinstitucionale dhe rritjen e aftësisë parandaluese të institucioneve përgjegjëse.

