Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është ndalur këtë të martë në qytetin e Vlorës, ku vizita e tij e parë është zhvilluar në Orikum, në bazën detare të Pashalimanit.
Gjatë vizitës, është finalizuar një marrëveshje bashkëpunimi për prodhimin e anijeve luftarake, mes shoqërisë shqiptare KAYO sh.a. dhe gjigantit italian të ndërtimit të anijeve Fincantieri.
Sipas marrëveshjes, Shqipëria do të prodhojë në bazën e Pashalimanit mjete lundruese fillimisht për nevojat e Forcave të Armatosura, ndërsa në një fazë të dytë pritet të synohet edhe tregu ndërkombëtar, duke e pozicionuar vendin si një qendër të re prodhimi në rajon.
Pas finalizimit të këtij bashkëpunimi, pritet që në muajt e ardhshëm të nisë transformimi i bazës së Pashalimanit. Nga një strukturë tradicionale ushtarake, ajo do të shndërrohet në një qendër prodhimi dhe zhvillimi të mjeteve detare, për përdorim vendas dhe eksport.
Qeveria e konsideron këtë projekt si një hap të rëndësishëm për industrinë ushtarake dhe ekonominë vendase, ndërsa investimet në infrastrukturë pritet të nisin në fazën e parë të zbatimit.

