Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi dje seancën plenare të radhës, gjatë së cilës u miratuan katër projektligje, një akt normativ dhe gjashtë projektvendime.
Seanca nisi me një minutë heshtje në nderim të ish-Kryetarit të Kuvendit, Servet Pëllumbi, i cili u nda nga jeta së fundmi.
Në vijim, punimet u hapën me interpelancën e kërkuar nga deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike me Kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit nuk ishte i pranishëm në sallë, duke deleguar përfaqësimin te Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Erjona Ismaili.
Megjithëse opozita kërkoi gjatë gjithë ditës praninë e kreut të qeverisë për interpelancat, Rama mbërriti në Kuvend vetëm në fund të seancës, pas mesnate, për të marrë pjesë në procesin e votimit.
Më pas u zhvillua interpelanca me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, gjithashtu e kërkuar nga deputetë të opozitës.
Seanca vijoi me një seancë pyetje-përgjigje me Ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e inicuar nga deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa.
