Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar kufizime të përkohshme të qarkullimit në aksin Tiranë–Durrës, në kuadër të punimeve për projektin “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza III)”.
Sipas ARRSH-së, në datat 1, 2 dhe 3 shtator 2026, nga ora 23:00 deri në 05:00, do të zhvillohen punime për montimin e trarëve metalikë në hapësirën qendrore të mbikalimit të ri të Kasharit.
Për shkak të këtyre punimeve, gjatë orëve të përcaktuara do të bllokohen përkohësisht korsitë e lëvizjes në të dyja drejtimet e aksit Tiranë–Durrës dhe Durrës–Tiranë.
ARRSH bën me dije se qarkullimi i automjeteve do të menaxhohet dhe devijohet sipas skemave të përcaktuara, me qëllim vijimin e lëvizjes dhe garantimin e sigurisë gjatë punimeve.
Në drejtimin Tiranë–Durrës, mjetet do të devijohen përmes rampës provizore në drejtim të Rinasit dhe do të vijojnë lëvizjen në rrugën dytësore. Rikthimi në autostradë do të bëhet përmes rrugës së Rinasit dhe rampës përkatëse në drejtim të Durrësit.
Për mjetet e rënda, përfshirë kamionët, devijimi do të nisë që nga nyja “Casa Italia”, ku ato do të vijojnë lëvizjen nëpërmjet rrugës dytësore.
Në drejtimin Durrës–Tiranë, automjetet do të devijohen përmes mbikalimit Kashar–Thumanë dhe do të vijojnë në rrugën dytësore në anën e majtë. Më pas, pas mbikalimit të Kasharit, ato do të rikthehen në autostradë.
Ndërkohë, automjetet që kanë destinacion Rinasin, Shkodrën dhe Kosovën do të orientohen që në mbikalimin e autostradës Kashar–Thumanë, për të vijuar më pas në drejtimin përkatës.
ARRSH u bën thirrje drejtuesve të automjeteve që gjatë këtyre tre netëve të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën e përkohshme dhe udhëzimet e punonjësve që do të menaxhojnë qarkullimin në zonën e punimeve.

