Policia e Korçës ka zbardhur rrethanat e plagosjes me armë zjarri të 35-vjeçarit Brian Syzo në Pogradec, duke identifikuar katër persona të dyshuar si të përfshirë në ngjarje, të cilët rezultojnë me precedentë penalë për krime kundër personit.
Në kërkim janë shpallur 40-vjeçari Meardi Berberi dhe 22-vjeçari Edison Agolli, vëllai i autorit të dyshuar të plagosjes, Nikolla Agolli. Sipas të dhënave, Berberi është një emër i njohur për autoritetet, me precedentë për armëmbajtje pa leje, plagosje të rëndë me dashje dhe kanosje, ndërsa është përmendur edhe si një nga organizatorët e sulmit të ndodhur në Volorekë në vitin 2020.
Nga hetimet paraprake rezulton se Nikolla Agolli ndodhej në një automjet së bashku me David Priftin dhe dy personat e shpallur në kërkim, Meardi Berberi dhe Edison Agolli.
Sipas policisë, Brian Syzo ishte i parkuar në anë të rrugës bashkë me një mikun e tij, secili me automjetin përkatës. Në momentin kur shoku i tij po lëvizte për të hipur në makinën e Syzos, pranë tyre është afruar automjeti ku ndodheshin autorët e dyshuar. Në këtë çast, Nikolla Agolli dyshohet se ka thyer xhamin e automjetit të mikut të Syzos, ndërsa 35-vjeçari ka dalë nga makina dhe është qëlluar disa herë me armë zjarri.
I plagosuri u transportua drejt spitalit nga shoku i tij dhe fillimisht mori ndihmë në spitalin e Pogradecit, për t’u dërguar më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë. Ai ka marrë dy plagë nga armë zjarri, një në secilën këmbë. Burime mjekësore bëjnë me dije se gjendja e tij mbetet serioze, pasi një prej plumbave ka prekur një venë kryesore, duke mos përjashtuar rrezikun e amputimit të një gjymtyre.
Pas ngjarjes, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, duke braktisur automjetin në zonën e Qafë Thanës dhe më pas janë shpërndarë. Nikolla Agolli u arrestua pak minuta më vonë në Prrenjas, ndërsa më pas u vu në pranga edhe David Prifti.
Sipas hetimeve paraprake, objektivi i sulmit dyshohet të ketë qenë eliminimi i Brian Syzos, për shkak të konflikteve të vazhdueshme mes palëve. Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes vijojnë.

