Antidroga e Tiranës ka goditur një rast të dyshuar të trafikimit të lëndëve narkotike përmes shërbimit postar, duke arrestuar në flagrancë një shtetase amerikane 48-vjeçare me inicialet Sh. I.
Sipas burimeve, gruaja, e cila banonte në Shqipëri, ishte pritëse e një pakoje të mbërritur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Gjatë kontrollit doganor, autoritetet konstatuan se dërgesa përmbante karamele në formë xhelatine me lëndë të dyshuar narkotike kanabis, me një peshë totale prej rreth 572 gramësh.
Pas zbulimit të rastit, policia organizoi një dorëzim të kontrolluar për të identifikuar marrësin e dërgesës. Një agjent i Antidrogës, i infiltruar në rolin e postierit, ia dorëzoi pakon 48-vjeçares, e cila u arrestua menjëherë sapo e mori në dorëzim.
Gjatë marrjes në pyetje, shtetasja amerikane ka mohuar të ketë porositur lëndë narkotike, duke deklaruar se pakoja e sekuestruar nuk ishte porositur prej saj.
Antidroga e Tiranës po vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, për të verifikuar nëse e arrestuara ka lidhje me ndonjë grup kriminal të përfshirë në trafikimin apo shpërndarjen e lëndëve narkotike, si dhe për të dokumentuar të gjithë skemën e këtij rasti.

