Pas shkarkimit nga posti i drejtorit të Policisë së Shkodrës, Gentian Berberi është pezulluar nga detyra dhe ndaj tij kanë nisur procedurat e hetimit disiplinor.
Sipas burimeve, Berberi ka pasur sot një debat në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas largimit të tij nga drejtimi i Policisë së Shkodrës.
Pas shkarkimit, ai ishte emëruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në sektorin e analizës, por më pas është marrë vendimi për pezullimin e menjëhershëm të tij nga detyra, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur procedurat e verifikimit disiplinor.
Berberi ishte emëruar drejtor i Policisë së Shkodrës rreth 11 muaj më parë, pasi më herët kishte drejtuar Policinë e Kukësit. Emërimi i tij në Shkodër erdhi pas largimit të Fatmir Lleshit në një periudhë të tensionuar për shkak të aksioneve për prishjen e ndërtimeve në zonën e Thethit.

