Partia Demokratike në Korçë tashmë është zyrtarisht pa mjedise fizike. Nuk është më një perceptim apo një akuzë politike por është një fakt i konfirmuar. Ish-godina e konsullatës, e cila për vite me radhë ka shërbyer si seli e saj, është marrë plotësisht në administrim nga pronarët. Arsyeja? Mungesa e pagesës së qirasë sipas marrëveshjes së përcaktuar. Ky nuk është thjesht një problem financiar. Është një simptomë e një sëmundjeje më të thellë: rrënimi i një strukture politike që dikur përfaqësonte një pjesë të madhe të qytetit. Një parti që nuk arrin të paguajë një qira, nuk është thjesht në vështirësi është në kolaps. Por edhe më alarmante se mungesa e fondeve është mungesa e drejtimit.
Ivi Kaso, drejtuesi politik i qarkut, prej kohësh është zhdukur nga realiteti i Korçës. Nuk ka dalje publike, nuk ka reagime, nuk ka përgjegjësi. Në një moment kur partia që ai drejton është në pikën më të ulët historike, mungesa e tij nuk është më thjesht neglizhencë është braktisje e pastër. Ai merret vetëm me paracaktimin e kandidatëve fitues në çfarëdo pozicioni! Garant i Niko Peleshit ne qark!
Ledina Alolli është transferuar në Tiranë dhe nuk ka asnjë sinjal kthimi. Korça, për të, duket se është një kapitull i mbyllur, jo thjesht në aspektin fizik, por edhe në atë politik. Mungesa e saj nuk është vetëm një zhvendosje gjeografike, por një shkëputje e qartë nga realiteti dhe problemet e demokratëve të këtij qyteti. Nuk ka asnjë komunikim, asnjë përpjekje për të mbajtur një lidhje minimale me bazën, asnjë angazhim për të rikthyer funksionalitetin e partisë në terren.
Fidel Kreka, në vend që të përballet me krizën, ka zgjedhur të distancohet nga çdo përgjegjësi. Fundja, kur rruga e ndejekur të çon në privilegje deputeti, hallet e strukturës bëhen barrë e padëshiruar.
Kjo është tabloja reale: një parti pa zyrë, pa drejtues në terren dhe pa asnjë reagim institucional. Në këtë boshllëk total, një tjetër realitet bëhet i qartë. Niko Peleshi nuk ka fituar vetëm betejën politike në Korçë, ai ka arritur të çmontojë fizikisht opozitën. Një parti që nuk ka as një derë për të hapur, nuk mund të pretendojë se është alternativë qeverisëse.Kjo situatë është pa precedent. Edhe në vitin e trazuar të 1997-ës, kur shteti shqiptar u rrëzua në kaos, Partia Demokratike nuk mbeti pa zyra. Sot, në një kohë ku flitet për demokraci funksionale dhe institucione të konsoliduara, opozita në një nga qytetet kryesore të vendit rezulton e zhdukur nga harta fizike. Por ndoshta problemi më i madh nuk është as mungesa e zyrave, as mungesa e drejtuesve. Problemi më i madh është mungesa e reagimit. Asnjë reflektim. Asnjë dorëheqje. Asnjë përgjegjësi. Drejtuesit lokalë sillen sikur asgjë nuk ka ndodhur. Sikur një parti pa seli, pa aktivitet dhe pa financa është një gjendje normale.
Shqetësuese është edhe heshtja e kryetarit të degës, Dhimitër Çyfeky! Në një situatë ku partia ka mbetur pa ambiente dhe pa funksion minimal organizativ, mungesa e një reagimi publik apo e një qëndrimi të qartë është e pajustifikueshme. Kryetari nuk është thjesht një figurë formale ai ka detyrimin të mbajë strukturën gjallë, të mobilizojë anëtarësinë dhe të japë drejtim. Por sot, në vend të lidershipit, kemi një boshllëk që e thellon edhe më shumë krizën.
E njëjta mungesë përgjegjësie vihet re edhe tek nënkryetarët, Genci Dushku , Spartak Shaholli! Në teori, ata duhet të jenë shtylla mbështetëse e organizimit dhe zëri i bazës në momentet e vështira. Në praktikë, janë të padukshëm. Asnjë iniciativë, asnjë dalje publike, asnjë përpjekje për të mbajtur të lidhur strukturat. Një drejtim kolegjial që ekziston vetëm në letër, por që në realitet ka pushuar së funksionuari.
Ndërkohë, sekretari i degës, Romi Tërolli që duhet të jetë hallka kyçe e koordinimit dhe funksionimit të përditshëm, duket se ka mbetur pa mbështetje. Kur funksioni administrativ i partisë bie, atëherë nuk kemi më të bëjmë me krizë kemi të bëjmë me një situatë të papranueshme. Pas protestave të fundit, u kuptua qartë se opozita reale në Korçë nuk janë më strukturat zyrtare të partive, por qytetarët që mblidhen çdo ditë në orën 18:00 tek Ushtari i Panjohur. Ata janë zëri i vetëm i kundërshtimit. Ata janë opozita e vetme aktive. Partia, ndërkohë, mungon. Dhe përballë kësaj situate, pyetja që shtrohet është e drejtpërdrejtë dhe e pakëndshme: Sa kohë do të vazhdojnë demokratët e Korçës të votojnë të njëjtët përfaqësues që i lanë pa zë, pa strukturë dhe tashmë edhe pa një shtëpi politike? A duhet të votëbesohen sërish Kaso, Alolli, Kreka?Sepse kjo nuk është më një krizë e përkohshme.Është fundi i një cikli. Dhe nëse nuk ka reflektim, do të jetë edhe fundi i një partie!

