Protesta qytetare në Tiranë ka vijuar edhe sot, ndërsa organizatorët kanë njoftuar një ndryshim në orarin e grumbullimit. Sipas tyre, nga kjo ditë e në vijim, protestuesit do të mblidhen çdo mbrëmje në orën 19:00.
Një nga drejtuesit e protestës, Arben Kola, bëri të ditur se është përcaktuar edhe një afat politik për kryeministrin Edi Rama. Sipas organizatorëve, data 20 qershor përbën afatin e fundit për dorëheqjen e tij, pas së cilës paralajmërohet përshkallëzim i protestës, pa u bërë të ditura format konkrete të veprimit.
Organizatorët kanë deklaruar se në këtë fazë, një rol më të madh do ta kenë të rinjtë pjesëmarrës, të cilëve u është lënë drejtimi i pjesës së vijimit të tubimit.

