Procesi i votimit për zgjedhjen e kryetarit të degës së Partisë Demokratike në Korçë është shoqëruar me tensione dhe incidente të përsëritura, duke vënë në pikëpyetje mbarëvajtjen e tij.
Votimi është ndërprerë për herë të dytë gjatë ditës së sotme, ndërsa shkak janë bërë përplasjet mes komisionerëve dhe problematikat me listat e anëtarësisë.
Burime bëjnë me dije se një pjesë e anëtarëve nuk kanë gjetur emrat në lista, ndërsa të tjerë nuk kanë pasur dokumentacionin e nevojshëm për të votuar. Kjo situatë ka sjellë debat dhe tension në ambientet e votimit.
Gjithashtu raportohet se gjatë tensioneve janë grisur edhe listat e anëtarësisë, çka ka përkeqësuar më tej situatën dhe ka shtuar dyshimet mbi rregullsinë e procesit.
Pas ndërprerjes procesi është pezulluar nën një klimë të rënduar dhe me shumë pikëpyetje mbi integritetin dhe transparencën e tij.
Zgjedhjet për drejtimin e degës së PD në Korçë zhvillohen në një moment të rëndësishëm për organizimin e strukturave lokale të partisë, ndërsa incidentet e sotme rrezikojnë të cenojnë besimin e anëtarësisë në proces.
