MINIMI I PROCESIT ZGJEDHOR NË PD DEGA KORÇË

MINIMI I PROCESIT ZGJEDHOR NË PD DEGA KORÇË

Ajo që po ndodh sot në Partinë Demokratike, Dega Korçë, përbën një precedent të papranueshëm për standardet minimale të një procesi zgjedhor.

Procesi i votimit nisi normalisht, nën drejtimin e dy kryetarëve të komisioneve të votimit, të deleguar nga KOKOE, me miratimin e drejtuesit politik Ivi Kaso dhe Sekretarit të Përgjithshëm Flamur Noka. Por shumë shpejt, situata doli jashtë çdo kontrolli institucional.

Në vështirësinë e parë, dy kryetarët e komisioneve, Arben Ibroja dhe Bujar Vukaj, morën kutinë e votimit së bashku me të gjithë materialet zgjedhore dhe u larguan nga ambientet e votimit. Destinacioni i tyre mbetet i panjohur, ndërsa ajo që ndodhi me kutitë dhe fletët e votimit gjatë kësaj kohe mbetet një pikëpyetje serioze.

Pas një pezullimi prej rreth tre orësh, ata u rikthyen për të vijuar procesin, sikur asgjë të mos kishte ndodhur. Gjatë kësaj kohe, materialet zgjedhore janë mbajtur në ambiente të paidentifikuara dhe jashtë çdo standardi sigurie dhe transparence.

Kjo ngre një sërë pyetjesh të rënda:

  • Kush garanton integritetin e kutive të votimit gjatë këtyre tre orëve?
  • A është cenuar procesi zgjedhor?
  • A ka pasur ndërhyrje apo manipulim të materialeve zgjedhore?
  • Cili ka qenë roli i drejtuesve politikë në këtë situatë?
  • A janë ndikuar rezultatet në favor të kandidatëve të caktuar?

Këto nuk janë thjesht dyshime, por shqetësime legjitime që kërkojnë përgjigje të qarta dhe transparente.

E njëjta situatë ndodhi edhe me ndërprerjen për herë të dytë të procesit zgjedhor. Vijnë, fillojnë procesin, e ndërpresin, ikin, marrin kutinë me vete, kthehem pas disa orësh sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Sot, më shumë se kurrë, humbësit e vërtetë të kësaj situate janë demokratët e Korçës. Besimi i tyre tek proceset e brendshme është goditur rëndë, ndërsa heshtja dhe indiferenca e disa aktorëve vetëm sa e thellon krizën.

Transparenca nuk është zgjedhje, është detyrim.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *