Procesi zgjedhor në degën e Partisë Demokratike në Korçë është përfshirë nga tensione dhe akuza të forta për parregullsi.
Kryetari i Forumit Rinor të PD në Korçë ka reaguar publikisht, duke e cilësuar situatën si një “maskaradë” dhe duke ngritur shqetësimin se shumë anëtarë nuk kanë mundur të votojnë, pasi emrat e tyre nuk figuronin në lista.
Sipas tij, kjo nuk është një gabim teknik, por një ndërhyrje e qëllimshme për të ndikuar rezultatin e zgjedhjeve.
Në reagimin e tij, ai akuzon drejtpërdrejt Ivi Kaso, duke e cilësuar si përgjegjës për mbarëvajtjen e procesit, por edhe si “dirigjent të farsës”.
“Anëtarë të tërë shkojnë për të votuar dhe nuk e gjejnë emrin në lista. Kjo është manipulim i hapur dhe një shuplakë për çdo demokrat,” – thuhet ndër të tjera në reagim.
Ai shton se praktika të tilla po largojnë anëtarësinë dhe po dëmtojnë rëndë besimin në Parti, duke paralajmëruar se nuk do të heshtë përballë kësaj situate.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga strukturat qendrore të Partisë Demokratike lidhur me këto akuza.

