Një vatër zjarri në kodrat e Hekal është vënë nën kontroll pas një operacioni të gjerë nga toka dhe ajri.
Ndërhyrja me helikopter të Forcat e Armatosura të Shqipërisë rezultoi vendimtare në izolimin e flakëve, të cilat kishin përfshirë një zonë me terren të thepisur dhe të vështirë për ndërhyrje nga toka.
Gjatë gjithë ditës, helikopteri ka operuar në zonë duke mbështetur forcat zjarrfikëse në përpjekjet për shuarjen e zjarrit dhe parandalimin e përhapjes së tij.
Sipas drejtorit të repartit zjarrfikës të Bashkisë Mallakastër, Mandi Aliaj, në operacion u angazhuan 8 automjete zjarrfikëse, dy autobote uji dhe mbi 40 forca, përfshirë edhe efektivë të Forcave të Armatosura.
Autoritetet bëjnë me dije se kjo ishte vatra më e vështirë për t’u përballuar për shkak të terrenit, por aktualisht situata është nën kontroll dhe nuk ka rrezik për riaktivizim të flakëve.

