Të dhënat e publikuara nga INSTAT në raportin “Gra dhe Burra 2025” tregojnë se gjatë vitit 2024 gratë kanë ndryshuar vendbanimin brenda vendit në numër dukshëm më të lartë sesa burrat.
Sipas raportit, gjatë vitit të kaluar lëvizën 16.289 gra, kundrejt 9.303 burrave. Pesha më e madhe e migrimit të brendshëm përqendrohet te grupmoshat 20-29 vjeç.
Vetëm në grupmoshën 20-24 vjeç rezultojnë të kenë lëvizur 3.080 gra, ndërsa në grupmoshën 25-29 vjeç numri arrin në 3.754. Për burrat, në të njëjtat grupmosha, shifrat janë ndjeshëm më të ulëta, përkatësisht 537 dhe 1.098.
Raporti evidenton se gratë e reja po bëhen gjithnjë e më aktive në migrimin e brendshëm, kryesisht drejt qyteteve të mëdha për studime universitare, punësim dhe akses më të mirë në shërbime.
Tiranë mbetet poli kryesor tërheqës, veçanërisht për sektorët e administratës, shërbimeve, call center-ve, teknologjisë, arsimit dhe shëndetësisë, ku punësimi i grave është më i përqendruar.
Megjithëse lëvizjet e brendshme ranë në total gjatë vitit 2024 krahasuar me vitin pararendës, diferenca gjinore mbetet e fortë. Në vitin 2023 kishin ndryshuar vendbanimin 19.805 gra dhe 12.277 burra.
Sipas ekspertëve të demografisë, ky trend lidhet me urbanizimin, shtyrjen e martesës, rritjen e pjesëmarrjes së grave në arsimin e lartë dhe kërkimin për pavarësi ekonomike.
Në të njëjtën kohë, shumë zona rurale po humbasin kryesisht popullsinë e re femërore, çka ndikon drejtpërdrejt në lindshmëri dhe në strukturën familjare lokale.
Burimi: Monitor
