LEKSION NË KOHËN E KOLERËS NGA PROF. DR. TONIN GJURAJ

LEKSION NË KOHËN E KOLERËS NGA PROF. DR. TONIN GJURAJ

Rektori i Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, Prof. Tonin Gjuraj, dhe dorëheqjen nga detyra, pas përplasjeve të raportuara me Ministrinë e Arsimit lidhur me administrimin e institucionit.

Në një letër të fundit drejtuar komunitetit akademik, Gjuraj e ka cilësuar largimin e tij si një akt reflektimi dhe përgjegjësie institucionale. Ai ka përcjellë një mesazh pajtimi dhe bashkimi, duke falur ata që e kanë kritikuar gjatë ushtrimit të detyrës.

Në deklaratën e tij, ish-rektori thekson nevojën që energjitë të përqendrohen te zhvillimi i universitetit dhe kërkon mbështetje për rektorin e ri, me qëllim forcimin e institucionit dhe vazhdimësinë akademike.

Dorëheqja e tij vjen pas një periudhe tensionesh të brendshme mbi drejtimin dhe menaxhimin e universitetit.

Postimi i plotë: 

Të dashur qytetare dhe qytetarë të Shkodrës,
Të nderuar kolege dhe kolegë,
Të dashura studente dhe studentë,
Të nderuar punonjës të administratës,
Të respektuar bashkëpunëtorë të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”,
Në këtë moment të rëndësishëm, pas dorëheqjes sime të parevokueshme nga detyra e Rektorit, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time më të sinqertë për të gjithë ata që, me besim, mbështetje dhe mirëkuptim, kanë qenë pranë Universitetit dhe pranë meje gjatë kësaj periudhe gati dyvjeçare.
Falënderoj qytetarët e Shkodrës për vëmendjen, ndjeshmërinë dhe mbështetjen e treguar ndaj një institucioni që i përket jo vetëm komunitetit akademik, por edhe qytetit e më gjerë. Falënderoj stafin akademik dhe administrativ, studentet dhe studentët, si dhe çdo bashkëpunëtor që besoi se Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” mund të ecë përpara me më shumë përgjegjësi, dinjitet dhe hapje ndaj së ardhmes.
Kam keqardhje që projekti im për Universitetin nuk mundi të vijojë deri në fund. Megjithatë, e kuptoj se çdo përpjekje për ndryshim ndeshet edhe me hezitime, rezistencë apo mospajtime. Kjo është normale në një shoqëri të lirë dhe të hapur.
I respektoj ata që menduan ndryshe. Madje, edhe ndaj atyre që, në rrugën e përballjes, zgjodhën fjalën e rëndë, shpifjen apo fabrikimin, dua të shpreh sot, qetësisht, faljen dhe paqen time. Për mua, mbi gjithçka mbetet Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”.
Tani është e rëndësishme që energjitë tona të bashkohen për të mirën e institucionit. Le të mbështesim drejtimin e ri, Prof. Dr. Blerta Dragusha dhe ekipin e saj, me shpresën dhe përgjegjësinë që viti akademik 2026–2027 të jetë i mbarë, i qetë dhe i suksesshëm për Universitetin tonë, për studentët dhe për Shkodrën.
Ftoj maturantët, kudo që ndodhen, të zgjedhin UNISHK-un për vijimin e studimeve universitare në vitin akademik 2026–2027.
Me respekt dhe mirënjohje,
Prof. Dr. Tonin Gjuraj

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *