Është zhvilluar këtë të martë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit konkursi për përzgjedhjen e drejtuesve vendorë në katër qarqe ku postet janë vakante: Durrës, Lezhë, Fier dhe Kukës.
Dy javë më parë, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Hita, hapi garën për këto pozicione, ku aplikuan gjithsej 21 drejtues policie. Pas përfundimit të testimit, komisioni do të kryejë vlerësimin me pikë të kandidatëve, ndërsa lista fituese do t’i paraqitet kryepolicit, i cili do të përzgjedhë katër emrat që do të drejtojnë policinë në qarqet e Fierit, Durrësit, Lezhës dhe Kukësit.
Vende vakante mbeten edhe në policitë e Tiranës dhe Vlorës, për të cilat pritet të hapet një procedurë e veçantë. Megjithatë, drejtuesit e këtyre dy qarqeve mund të zgjidhen nga lista e kandidatëve që morën pjesë në konkursin e zhvilluar këtë javë.
Sipas burimeve, ndër emrat më të përfolur për drejtimin e Policisë së Tiranës janë Ermal Muça dhe Ervin Hodaj, aktualisht i komanduar në Durrës. Ndërkohë, edhe Oliger Torba mund të konsiderohet kandidat potencial nëse miratohen ndryshimet e reja ligjore për Policinë e Shtetit.
Projektndryshimet në ligj parashikojnë heqjen e procedurës së konkurrimit për postet kyçe drejtuese, duke i dhënë drejtorit të përgjithshëm të drejtën e emërimit të drejtpërdrejtë të drejtuesve vendorë. Gjithashtu, kryepolici do të ketë kompetenca të zgjeruara edhe për dhënien e gradave në raste të veçanta.
Për qarkun e Lezhës, favoritë konsiderohen Ndue Ndoçi dhe Arben Nasufi. Në Fier pritet rikonfirmimi i Erion Ahmeti, ndërsa për Kukësin përmenden si kandidatë potencialë Artion Duka, Alket Shatro dhe Gjovalin Loka.
Ndërkohë, pas komandimit të Ervin Ndreu në krye të Policisë së Vlorës, në detyrën e drejtorit të Kufirit në Tiranë është komanduar Ermal Haxhi. Ndreu pritet të marrë emërimin e plotë pas përfundimit të procedurave të konkursit.
Vendimi final për emërimet në qarqe do të merret nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Hita.
