Policia e Shtetit në bashkëpunim me Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit dhe Bashkia e Tiranës kanë konfiskuar për interes publik tre kate të një ndërtese në kryeqytet, në rrugën “Llukë Kaçaj”.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë verifikimeve është konstatuar se objekti ishte ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit, konkretisht në katin e 10-të dhe të 11-të të një godine 9-katëshe, si dhe një pjesë të katit të 12-të.
Autoritetet theksojnë gjithashtu se godina ishte vënë në përdorim pa certifikatë përdorimi, duke shkelur rregullat ligjore në fuqi.
Sipas policisë, masa e konfiskimit është marrë në bazë të Aktit Normativ Nr. 8, datë 01.10.2025, i cili parashikon konfiskim për interes publik në rastet kur tejkalimi i lejes së ndërtimit kalon pragun ligjor prej 10%.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurori për veprime të mëtejshme, ndërsa strukturat e hetimit të krimeve ekonomiko-financiare dhe Komisariati Nr. 4 në Tiranë kanë dorëzuar disa herë materiale për shkelje të konstatuara në këtë objekt.
