Një shtetas shqiptar i Kosovës, Arian Lluka, është arrestuar nga autoritetet kolumbiane në Aeroportin Ndërkombëtar El Dorado Airport, pasi rezultonte i kërkuar nga institucionet e Kosovës për vepra të rënda penale.
Ai dyshohet për “vrasje të rëndë” dhe “shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”, ndërsa sipas autoriteteve, Kosova kishte njoftuar edhe Interpol për rastin, duke e lidhur atë me vrasjen e Fidan Shabit në vitin 2012 në Pejë.
Arrestimi është konfirmuar nga ministri i Mbrojtjes i Kolumbisë, Pedro Arnulfo Sánchez, i cili deklaroi se i dyshuari kishte përdorur identitete të rreme për t’iu shmangur drejtësisë ndërkombëtare.
Sipas tij, hetimet kanë treguar se gjatë viteve 2023–2026, Lluka ka lëvizur në disa shtete duke përdorur dokumente me një identitet alternativ serb, në përpjekje për të shmangur kontrollet dhe autoritetet ligjzbatuese.
Ministri kolumbian vlerësoi bashkëpunimin ndërkombëtar dhe operacionin e autoriteteve vendase, duke theksuar se arrestimi tregon kapacitetin e Kolumbisë për të luftuar krimin ndërkombëtar dhe për të forcuar sigurinë.
