KIM MEHMETI/ TË RINJTË PROTESTUES NË SHQIPËRI, “INVESTIMI MË I MADH STRATEGJIK I VENDIT”

KIM MEHMETI/ TË RINJTË PROTESTUES NË SHQIPËRI, “INVESTIMI MË I MADH STRATEGJIK I VENDIT”

Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti ka shprehur mbështetjen e tij për të rinjtë që po marrin pjesë në protestat në Shqipëria, duke i cilësuar ata si “investimin më të madh strategjik që është bërë ndonjëherë në vend”.

Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Mehmeti vlerëson angazhimin e të rinjve në protestat kundër qeverisë, duke theksuar se zëri i tyre përfaqëson, sipas tij, shpresën për një të ardhme më të mirë dhe më të drejtë për vendin.

Ai kritikon ashpër elitën politike të tre dekadave të fundit, të cilën e akuzon për dëmtim të interesave kombëtare dhe degradim të jetës publike. Sipas tij, protestat aktuale janë një sinjal i ringjalljes së shpresës dhe i rikthimit të ndjenjës së përgjegjësisë qytetare.

Mehmeti shprehet se përfshirja e të rinjve në jetën publike dhe në protestë është një zhvillim me rëndësi të veçantë shoqërore, që mund të ndikojë në ndryshime afatgjata në skenën politike dhe institucionale të vendit.

Postimi i plotë:
POROSI PROTESTUESVE – JU JENI INVESTIMI MË I MADH STRATEGJIK QË ËSHTË BËRË NË SHQIPËRI!

Bëhuni gjithnjë e më shumë, sepse kështu e zbukuroni Shqipërinë dhe vetëm kështu do ta mposhtni Piktorin, i cili nuk e kursen as familjen e Presidentit amerikan për ta mbuluar fytyrën vetjake të shkatërrimtarit të shqiptarisë.

Brohorimat tuaja kundër plehut politik tridekadësh, që ka mbuluar mëmëdheun, janë ftesa më e sinqertë për investitorët e huaj dhe investimi më i madh strategjik që ndonjëherë është bërë në Shqipëri.

Jo vetëm se po e largoni plehun politik që e ka mbuluar dhe po e kalb Shqipërinë, por ju po e shpëlani edhe mëkatin e gjeneratës sime, e cila ju la në duart e burrështetasve, të cilëve nuk do t’u besohej as një fermë pulash, ngaqë do t’i hanin shpendët dhe do t’i vidhnin vezët.

Mos bini pre e “mendjendriturve” të shumtë që dalin nëpër ekranet e televizioneve të financuara nga krimi, duke e mbrojtur Piktorin, sepse ata për këtë paguhen dhe, nëse bie punëdhënësi i tyre, ata mbeten pa grazhdin ku majmen dhe pa baltën e turpit, ku përpëliten si derra.

Jo vetëm tani, por gjithmonë, Shqipëria do të mburret me ju e do të turpërohet nga ata që sot duan ta heshtin dhe ta komprometojnë zërin tuaj të sinqertë rinor, i cili mëmëdheut ia freskon damarët e shpresës dhe krenarisë.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *