INSTAT/ 20% E TË RINJVE SHQIPTARË JASHTË ARSIMIT DHE TREGUT TË PUNËS, SHQIPËRIA MBI MESATAREN E BE-SË

INSTAT/ 20% E TË RINJVE SHQIPTARË JASHTË ARSIMIT DHE TREGUT TË PUNËS, SHQIPËRIA MBI MESATAREN E BE-SË

Shqipëria vijon të përballet me sfida të theksuara në tregun e punës për të rinjtë, ku 20,1% e personave të grup-moshës 15–29 vjeç rezultojnë jashtë sistemit arsimor, pa punë dhe pa përfshirje në programe formimi profesional (NEET) gjatë vitit 2025.

Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, 38,5% e të rinjve që klasifikohen si NEET janë të papunë aktivë, duke kërkuar punë dhe duke qenë të gatshëm për t’u përfshirë në tregun e punës. Ndërkohë, 1,6% konsiderohen të dekurajuar dhe kanë hequr dorë nga kërkimi i një vendi pune, ndërsa 19,5% janë të angazhuar në detyra familjare, si kujdesi për fëmijët apo anëtarë të tjerë të familjes.

Një pjesë e konsiderueshme, 40,4%, klasifikohet në kategorinë “të tjera”, çka sipas ekspertëve mund të lidhet me nivelin e lartë të informalitetit ose pasigurinë në deklarimin e statusit ekonomik.

Krahasuar me një vit më parë, është regjistruar një përmirësim i lehtë në kategorinë e të dekurajuarve, me një ulje prej 0,4 pikë përqindje, megjithatë ky ndryshim mbetet i kufizuar dhe nuk sinjalizon ende një përfshirje më të gjerë të të rinjve në tregun e punës.

Të dhënat tregojnë gjithashtu dallime të dukshme gjinore. Rreth 46,5% e meshkujve NEET janë në kërkim aktiv të punës, ndërsa përqindja për femrat zbret në 31,9%, duke reflektuar një pjesëmarrje më të ulët të tyre në tregun e punës.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit dhe me standardet evropiane, Shqipëria renditet ndër vendet me nivelin më të lartë të të rinjve jashtë arsimit dhe punësimit. Me rreth 20% të të rinjve në kategorinë NEET, vendi pozicionohet pas Kosovës, e cila regjistron nivelin më të lartë në rajon me afro 30%. Pasojnë Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi me rreth 17%, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia raportojnë nivele disi më të ulëta, por ende mbi mesataren e Bashkimit Evropian.

Ndërkohë, papunësia tek të rinjtë mbetet dukshëm më e lartë se ajo në popullsinë e përgjithshme. Në vitin 2025, shkalla zyrtare e papunësisë në vend ishte 8,4%, ndërsa për grup-moshën 15–24 vjeç arriti në 21,5%, gati trefish më e lartë.

Në kontrast me situatën e të rinjve, numri i të punësuarve mbi moshën 65 vjeç ka shënuar rritje. Sipas INSTAT, nga 119,862 persona në vitin 2024, numri i tyre u rrit në 130,274 gjatë vitit 2025. Pjesa më e madhe e kësaj kategorie përbëhet nga të vetëpunësuar në sektorin bujqësor, të cilët sipas metodologjisë statistikore konsiderohen të punësuar edhe kur prodhojnë kryesisht për vetëkonsum.

Burimi: Monitor

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *