HITA NIS “SPASTRIMIN” NË POLICI, 21 KANDIDATË NË GARË PËR DREJTIMIN E QARQEVE KRYESORE

HITA NIS “SPASTRIMIN” NË POLICI, 21 KANDIDATË NË GARË PËR DREJTIMIN E QARQEVE KRYESORE

Dy muaj pas marrjes së detyrës, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Hita, ka nisur fazën vendimtare për krijimin e ekipit të tij të ri drejtues në radhët e policisë.

Mësohet se 21 kandidatë janë futur në garë për postin e drejtorit të policisë në pesë qarqe kryesore të vendit: Tiranë, Durrës, Lezhë, Kukës dhe Fier. Burime bëjnë me dije se në ditët në vijim priten edhe dorëheqje apo largime të tjera, çka tregon se lëvizjet nuk do të kufizohen vetëm në këto pesë drejtori vendore.

Që në fillim të mandatit të tij, Hita u ka kërkuar të gjithë drejtuesve të qarqeve të paraqesin dorëheqjen, me synimin për të ndërtuar një strukturë të re drejtuese. Të parët që u larguan ishin ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Islor Islami, dhe drejtori i Policisë së Kukësit, Loard Sallaku. Më pas u shkarkua nga detyra edhe Afrim Tafa, ndërsa së fundmi dorëheqjen e paraqiti edhe drejtori i Policisë së Tiranës, Elton Alushi.

Deri në emërimin e drejtuesit të ri, në krye të Policisë së Tiranës është komanduar Oliger Torba. Ndërkohë, emrat më potencialë për drejtimin e Policisë së kryeqytetit janë Ermal Muça, Edvin Ndreu dhe Ervin Hodaj, i cili konsiderohet favorit edhe për Policinë e Durrësit.

Për qarkun e Lezhës, favoritë konsiderohen Arben Nasufi dhe Ndue Ndoçi. Në Fier pritet rikonfirmimi i Erion Ahmeti, ndërsa për Kukësin përmenden emrat e Artion Duka, Alfred Elezi, Alket Shatro dhe Gjovalin Loka.

Ndryshimet pritet të prekin edhe nivelet më të larta të Policisë së Shtetit. Burime bëjnë me dije se lëvizje të rëndësishme mund të ndodhin edhe në Drejtorinë e Përgjithshme, ku disa drejtues prej vitesh mbajnë të njëjtat poste dhe mandateve të tyre po u përfundon afati.

Një nga emrat që pritet të largohet është edhe drejtori i Departamentit për Policinë Kriminale, Neritan Nallbati, i cili mban këtë detyrë që prej 1 gushtit 2022 dhe mandati i tij përfundon më 31 korrik 2026.

Ndërkohë, me ndryshimet e pritshme në ligjin për Policinë e Shtetit, pritet të hiqet procedura e konkurrimit për postet kyçe drejtuese, duke i hapur rrugë emërimeve të drejtpërdrejta nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *