GODITET GRUPI I TRAFIKUT TË KOKAINËS NË ATHINË, 11 SHQIPTARË TË PËRFSHIRË NË ORGANIZATËN KRIMINALE

GODITET GRUPI I TRAFIKUT TË KOKAINËS NË ATHINË, 11 SHQIPTARË TË PËRFSHIRË NË ORGANIZATËN KRIMINALE

Autoritetet greke kanë goditur një organizatë kriminale të përfshirë në tregtimin e kokainës në zona të ndryshme të Athinës, pas një operacioni të gjerë të zhvilluar nga Nëndrejtoria e Prokurorisë dhe Hetimit të Krimit në Athinë.

Gjatë aksionit të koordinuar në banesa dhe ambiente që përdoreshin si strehëza dhe baza operative të grupit, me mbështetjen e forcave speciale OPKE dhe EKAM, u arrestuan 9 persona të moshës nga 24 deri në 43 vjeç, ndërsa 4 të tjerë u shpallën në kërkim.

Sipas autoriteteve, në organizatë ishin të përfshirë 14 persona, prej të cilëve 11 shqiptarë dhe 3 shtetas grekë. Të arrestuarit shqiptarë janë Ervin Ademi (alias Leo), 39 vjeç, Elton Plepi (alias Toni), 42 vjeç, Ervis Tringa (alias Niko), 38 vjeç, Albert Pali (alias Berti), 42 vjeç, Bruno Anastasaj (alias Thodhori), Kondelina Dhimertika, 43 vjeç, Xhulio Kërçani, 29 vjeç dhe Malena Alushaj, 24 vjeç. Ndërsa në kërkim janë shpallur Helis Cato, 38 vjeç, Taulant Prifti, 47 vjeç dhe Erald Gjata, 46 vjeç.

Të dyshuarit përballen me akuza për pjesëmarrje në organizatë kriminale, trafik narkotikësh, pastrim parash, armëmbajtje pa leje, falsifikim dokumentesh dhe shkelje të legjislacionit për të huajt.

Sipas hetimeve, organizata kishte një strukturë të mirëorganizuar dhe hierarkike, me një drejtues dhe tre zëvendësdrejtues. Grupi dyshohet se vepronte të paktën që nga dhjetori i vitit 2025 dhe kishte marrë masa të avancuara kundër zbulimit nga autoritetet, duke përdorur aplikacione komunikimi të koduara, terminologji të veçantë dhe ndryshime të shpeshta të numrave telefonikë.

Hetuesit grekë bëjnë me dije se drejtuesi i organizatës, 39-vjeçari Ervin Ademi, ushtronte kontroll të plotë mbi aktivitetin kriminal, duke koordinuar shpërndarjen e kokainës dhe duke dhënë udhëzime për anëtarët e tjerë të grupit.

Gjatë kontrolleve në bazat operative të organizatës, policia sekuestroi 827 gramë kokainë, një sasi marijuane, tre armë zjarri, karikatorë dhe 119 fishekë, telefona celularë, pesë automjete të përdorura për trafik droge, si dhe 14.505 euro dhe 470 dollarë amerikanë në para cash. Gjithashtu u gjetën radio marrëse, peshore elektronike precize, sprej me piper, shkopinj dhe thika.

Sipas autoriteteve greke, fitimet e paligjshme të organizatës nga aktiviteti kriminal llogariten të kenë kaluar shifrën e 900 mijë eurove, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë dhe zbardhjen e plotë të rrjetit të trafikut të drogës.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *