Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është përballur me protesta gjatë një vizite në Berlin, ku mori pjesë në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor.
Sipas pamjeve të publikuara, në momentin që Rama po dilte nga aktiviteti, një grup protestuesish shqiptarë kanë shprehur pakënaqësinë e tyre me thirrje kundër tij, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit.
Mes sloganeve të dëgjuara ishin “Edi Rama o tradhtar, jep dorëheqjen sa më parë”, “Turp”, si dhe thirrje të tjera si “Anulo projektin” dhe “Anulo ligjin”. Protestuesit kanë vijuar me qëndrime kritike ndaj qeverisë dhe vendimmarrjeve të saj.
Në pamje shihet se kryeministri Rama i përshëndet protestuesit me dorë, përpara se të largohet me automjet nga vendi i aktivitetit.
Ngjarja vjen në një kohë kur debatet politike dhe protestat brenda dhe jashtë vendit ndaj qeverisë shqiptare janë shtuar, duke reflektuar polarizimin e theksuar të skenës politike në vend.

