I penduari i drejtësisë, Artan Tafani, ka dhënë dëshmi të detajuara në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), në procesin ndaj të akuzuarve si pjesë e grupit të drejtuar nga Laert Haxhiu.
Sipas dëshmisë së tij, konflikti fillestar kishte nisur në rrjetet sociale, pas përplasjeve dhe ofendimeve në TikTok mes Kleviol Ahmetaj dhe Noizy-t, përpara se situata të përshkallëzohej në plane për hakmarrje fizike.
Tafani deklaroi se Laert Haxhiu kishte ndjekur konfliktin dhe kishte mbajtur anën e Kleviol Ahmetajt, duke diskutuar me grupin mundësinë e vendosjes së eksplozivit në një biznes të lidhur me reperin.
Ai shtoi se vendimi për sulmin ishte marrë pas diskutimeve brenda grupit, ndërsa përgatitja e lëndës plasëse ishte bërë paraprakisht me masa për shmangien e identifikimit, përfshirë edhe përdorimin e automjeteve me targa të ndryshuara.
Sipas tij, objektivi fillestar ishte një lokal, por pasi hyrja në godinë u vështirësua, grupi dyshohet se vendosi vendosjen e eksplozivit pranë një biznesi në të njëjtën zonë. Tafani pretendoi se ai vetë ka aktivizuar fitilin para largimit nga vendngjarja.
Ai tha gjithashtu se shpërthimi u dëgjua ndërsa grupi po largohej drejt zonës së Astirit, ku më pas automjeti u parkua për të shmangur gjurmimin.
Dëshmia e tij konsiderohet një nga më të detajuarat në këtë proces, ndërsa seancat në GJKKO vijojnë.
