Ish-deputeti i Partia Demokratike e Shqipërisë, Ervin Salianji, gjatë një takimi me intelektualë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, ka vijuar kritikat ndaj lidershipit të partisë dhe funksionimit të saj të brendshëm.
Në fjalën e tij, Salianji u ndal te premtimet e bëra nga kryetari i PD-së, Sali Berisha, duke theksuar se rikthimi i tij në krye të partisë ishte shoqëruar me zotimin se Edi Rama nuk do t’i “vjedhë” zgjedhjet dhe se PD do të dilte fituese.
Sipas Salianjit, këto premtime nuk janë mbajtur. Ai theksoi se statuti i partisë është i qartë në këtë drejtim dhe nuk parashikon justifikime për humbjen e zgjedhjeve.
“Neni 46 i Partisë Demokratike nuk thotë ‘m’u vodhën votat’. Nëse PD nuk është forcë qeverisëse, kryetarit i ndërpritet mandati. Janë rregulla të shkruara dhe statuti i partisë është kushtetuta,” u shpreh ai.
Salianji ngriti shqetësimin për mungesën e demokracisë së brendshme dhe për pamundësinë e lidershipit për të bashkuar të gjitha flukset opozitare. Sipas tij, në disa raste kjo ndodh për mungesë vullneti, ndërsa në raste të tjera për shkak të zhgënjimit të krijuar te mbështetësit.
Ai kritikoi gjithashtu diskursin politik që, sipas tij, ka dekurajuar votuesit, duke theksuar se pretendimet për pamundësinë e fitores ndaj mazhorancës përmes zgjedhjeve dëmtojnë opozitën.
“Dekurajimi i votuesit është avantazhi më i madh që i jepet kundërshtarit. Kemi detyrim të bëjmë thirrje për aktivizimin e sa më shumë njerëzve, pasi bojkoti favorizon pakicën,” deklaroi Salianji.
Në fund, ai propozoi hapjen e partisë ndaj shoqërisë, duke sugjeruar që një pjesë e kandidatëve të vijnë nga jashtë strukturave politike dhe duke mbështetur një sistem zgjedhor proporcional kombëtar me lista 100% të hapura, ku deputetët të zgjidhen drejtpërdrejt nga qytetarët.
