Partia Demokratike si çiflig personal

Partia Demokratike si çiflig personal

“Mund ta shmangni realitetin, por nuk mund t’i shmangni pasojat e shmangies së realitetit” – thotë Ayn Rand.

Partia Demokratike po kalon një nga fazat më paradoksale të historisë së saj: sa më shumë shtrëngohet kontrolli i brendshëm i Sali Berishës, aq më shumë zhduket iluzioni se kjo forcë mund të kthehet ndonjëherë në alternativë reale për pushtet. Në 2026-n, problemi i madh i PD-së nuk është as mungesa e zërit, as mungesa e zhurmës, por mungesa e frymës dhe e një drejtimi që prodhon besim jashtë rrethit të besimtarëve fanatikë. Në këtë strukturë të re të vjetër, mbijetesa varet nga aftësia për të fshirë memorien kolektive dhe për t’u rreshtuar në një hierarki ku besnikëria ndaj liderit peshon më shumë se integriteti, biografia, CV-ja dhe çdo gjë tjetër.

Rotacioni ka mbetur mirazh, jo se mungojnë parullat, por sepse figura të konsumuara dalin çdo ditë para publikut si “shpresa e re”. Një pjesë e mirë e këtij lidershipi ka tri dekada në skenë dhe shihet nga elektorati gri jo si bartës i ndryshimit, por si bashkëautor i tranzicionit 30-vjeçar. Shoqëria shqiptare e vitit 2026 nuk ushqehet më me retorikën e viteve ’90, me kasetat e vjetra që riluhen tani në version “foltorja remix”. Pa një qarkullim real elitash, që ndal urgjent “vrasjen” e frymës së re, PD rrezikon të mbetet një sekt që mbron veten, vulën dhe liderin, por nuk fiton dot as Bashkitë, jo më Shqipërinë.

Ky fenomen, që po vret meritokracinë dhe po asfikson intelektualët, është kolona mbajtëse e godinës së PD-së – ajo kolona e hekurt që askush nuk guxon ta prekë se “na prishet uniteti”. Intelektualët e rinj, ekspertët e ekonomisë, diaspora e shkolluar në Perëndim, shohin përpara një dere ku kriteri i vetëm i ngritjes është vëllimi i britmës dhe diviza publike ndaj “doktorit”. Siç thoshte Isaac Asimov, kriza nis kur lind nocioni i rremë se “injoranca ime është po aq e mirë sa dija jote”. PD e ka çuar këtë në nivel statutor, duke u kthyer në një ishull ku flitet një dialekt politik që vetëm militantët (nuk) e kuptojnë.

Flamur Noka nuk është thjesht politikan; është fenomen akustik i regjistruar në shkallë Richter. I shndërruar në “qehajain” e rreptë të oborrit dhe arkitekt suprem të zhurmës, roli i tij është të zëvendësojë mendimin politik me decibelët e britmave dhe argumentin me “bicepsin”. Noka është gardiani i bunkerit që rrudhet, njeriu që siguron që askush të mos guxojë të ketë mendim ndryshe, sepse, siç “dihet”, një parti pa debate është një parti e fortë…ose e vdekur klinikisht. Nëse politika do të ishte muzikë, ai do të ishte tupan që bie pa pushim, pa melodi, por me një volum që shurdhon këdo që përpiqet të mendojë. Ai nuk prodhon politikë, ai prodhon presion. Sun Tzu do ta përkufizonte si “zhurma para disfatës”, por te PD-ja kjo zhurmë vjen pas disfatës, gjatë disfatës dhe mes dy disfatave. Ironikisht, ai sillet si komandant i një ushtrie legjendare, duke inspektuar rreshtat e militantëve me seriozitetin e një perandori, ndërsa trupat po shndërrohen çdo ditë në një grup xhuxhash politikë që bërtasin fort për të mbuluar faktin se nuk kanë më asnjë terren.

Gazment Bardhi është rasti studimor i mutacionit politik me shpejtësi rekord. Ish sekretari i përgjithshëm i Lulzim Bashës, njeriu i “vijës së kuqe” ndaj non gratës, sot është kthyer në mjetin teknik kryesor të vetë non gratës. Nga arkitekt i padive ndaj Berishës në noter i vullnetit të Berishës – një karrierë që edhe Netflix nuk do ta besonte. Pavarësisht protagonizmit të detyruar, Bardhi mbetet ajo enë që nuk mban kallaj sepse asnjë rol i deleguar nuk ngjit organikisht. Ai nuk ka bazë elektorale, nuk ka histori që ta bëjë të besueshëm dhe mbetet “përmbaruesi” i vullnetit të liderit, jo projektues i një të ardhmeje. Duket si aktor që ka veshur kostumin e dikujt tjetër, çdo gjest i duket i sforcuar, çdo deklaratë tingëllon si tekst që dikush ia ka dërguar me WhatsApp pesë minuta para emisionit.

Jorida Tabaku ka braktisur rolin e teknokratit serioz për të luajtur rolin e “sirenës” politike për kancelaritë europiane. Ajo përdor një flirt të hapur dhe një sensualitet të kalkuluar si mjet influence, duke e kthyer diplomacinë në një shfaqje koketërie të nivelit “lounge” brenda Brukselit. Marrëdhëniet e saj me eurokratët nuk lexohen më si diplomaci e ftohtë, por si performancë estetike, ku buzëqeshjet e studiuara, prekjet miqësore dhe afërsia fizike në takime shërbejnë si monedhë këmbimi për akses. Tabaku përpiqet t’i shesë partisë një imazh “sexy” jashtë vendit, si të ishte katalog politik “spring/summer collection”, ndërsa realiteti i PD-së brenda vendit ngjan më shumë me depo stokesh të viteve ’90.

Belind Këlliçi luan rolin e maskës së re të një dështimi të vjetër. Ai tenton të shesë “aksion të ri” në bursën politike, por brenda paketimit modern ndihet qartë era e naftalinës së narrativës së viteve Berisha 1.0. Fytyra e tij marketohet si moderne, por skenari është i njëjtë: bunker, rrethim, revolucion imagjinar. Këlliçi djeg energji nëpër rrugë, një maratonist protestash pa finish, pa arritur të kthehet në lider që ngjall shpresë reale. Në fund, mbetet thjesht aktor në teatrin e Berishës, peng i biografisë së vet dhe i paaftësisë për të dalë nga rreshti ku komandanti flet dhe të tjerët vetëm tundin kokën.

Klevis Balliu shihet si trashëgimtari i zhurmës pa ushtri. Ai ka adoptuar stilin agresiv si identitet, por pa gram graviteti politik. Shërben si zëdhënës i kauzave që përfundojnë sistematikisht në qorrsokak, një lloj “influencer-i” i zemërimit, por pa ndjekës realë jashtë rrethit radikal. Përdoret për ta mbajtur “nxehtë” militantizmin më të ashpër, si t’i hedhësh zjarrit pak benzinë sa për foto e video, por pas shfaqjes salla del bosh dhe elektorati gri vazhdon të shohë kanalin tjetër.

Albana Vokshi mbetet megafoni i vjetruar i një kohe të perënduar. Ajo riciklon të njëjtat skema, të njëjtat denoncime, të njëjtat monologë që kanë dalë nga moda bashkë me kasetat VHS. Nga pretendim për zë të grave, është kthyer në “eho” të liderit, pa asnjë kontakt real me gratë e 2026-s, me nënat, profesionistet, studentet që nuk e gjejnë veten në retorikën e saj muzeale. Vokshi përfaqëson atë pjesë të partisë që refuzon të evoluojë, duke mbetur zë përsëritës i një manuali të vjetër që sot nuk e lexon më askush.

Jozefina Topalli është rikthimi i dëshpëruar për të rikthyer lavdinë e vjetër. Dikur zëri më i ashpër kundër “pazarit” Basha-Berisha, sot pranon të rrijë në një sallon politik ku rrotull ka pikërisht ata që deri dje i quante varrmihës të PD-së. Kthehet si “shpëtimtare”, por përfundon dekor protokollar në një event ku regjisori, skenari dhe rolet kryesore janë të zëna. Një muze politik i lëvizshëm, i fortë në metal, por i parrezikshëm për realitetin.

Edi Paloka është ushtari statik dhe rojtari i përhershëm i bunkerit, njeriu që nuk bën pyetje dhe nuk ndryshon kurrë kurs. Ai është ura lidhëse që nuk lëviz nga vendi. Garanton se bunkerizimi i partisë nuk do të tronditet nga fjalë si “reformë”, “rotacion” apo “garë reale”. Roli i tij nuk është të mendojë strategji, por të sigurojë që muret të qëndrojnë të paprekura dhe rreshtimi i militantëve të jetë i palëkundur, duke zbatuar urdhrat me saktësi mekanike, sikur të ishin orë zvicerane të montuara në Shkodër.

Oerd Bylykbashi shërben si teknicieni që ligjëron dështimin me qetësi olimpike. Njihet si ekspert i procedurave që nuk sjellin vota, si mjeshtër i statutit që nuk zbatohet dhe i reformave zgjedhore që nuk ndryshojnë asgjë. Puna e tij përkthehet jo në fuqi elektorale, por në administrim teknik të një makinerie në vendnumëro. Është mjeku që bën diagnozën e saktë të vdekjes klinike të pacientit, por nuk ka recetë tjetër veçse: “Ta mbajmë kështu, mos e prekni se na prishet formulari.”

Tomor Alizoti, me citate filozofike dhe pozë kriticisti, përpiqet të shesë “mendjen e lirë” si brand personal. Vesh petkun e disidentit të brendshëm, por në fund të çdo akti del sërish në skenë duke u rreshtuar nën urdhrat e të njëjtit lider. Rebelimi i tij është pjesë e skenarit, e nevojshme për të krijuar iluzionin e debatit – një “opozitë brenda opozitës” e kontrolluar nga i njëjti regji. Ai flet për liri, por jeton rehat në burgun e bindjes, duke zbukuruar me fjalë të mëdha një realitet ku individi nuk ka asnjë fuqi reale.

Agron Gjekmarkaj është prototipi i kameleonit politik pa peshë dhe pa parime. Ndryshon ngjyrat me shpejtësi marramendëse për t’u përshtatur me rendin e ri, duke e kthyer fleksibilitetin në profesion më vete. Në një PD ku mbijetesa personale vlen shumë më shumë se integriteti, ai është manuali i gjallë i këtij oportunizmi. Siç thoshte Makiaveli, ai që mashtron gjen gjithmonë dikë që lejon të mashtrohet. Gjekmarkaj duket se e ka lexuar këtë si udhëzues karriere, jo si paralajmërim moral.

Ivi Kaso është pinjolli i një tradite ku “drejtësia” politike dikur firmosej në dosje sigurimsh dhe jo në sallë gjyqi. Në vend që ta përdorë këtë trashëgimi si reflektim për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës, ai është shndërruar në juristin e dështuar të PD-së, që në çdo proces zgjedhor apo betejë ligjore ka ditur të prodhojë vetëm dëme ose alibi pas humbjes. Nga komisionet te draftimet e reformave zgjedhore, bilanci i tij është një listë e gjatë me “i humbëm, por kemi të drejtë moralisht”, ndërkohë që praktikisht partia del gjithmonë e zhveshur. Në këtë oborr, Kaso mbetet servili tipik ligjor, ai që gjen gjithmonë argumentin juridik pse lideri ka të drejtë, por kurrë mekanizmin real si opozita të fitojë një betejë konkrete.

Enno Bozdo është “bulldogu” i shkurtër i PD-së, kombinim i rrallë mes arrogancës dhe injorancës së vetësigurt. Profili i tij politik lëviz mes akuzave të dyshimta, lidhjeve shoqërore me “të shiturit” e PS-së dhe një agresiviteti pa asnjë argument serioz pas. Mandatin e ka marrë qyl, si produkt i pazareve të listave të mbyllura, dhe sot duket më shumë si rojtar te porta, që pret ditën kur Berisha të mos jetë më për të nisur garën e trashëgimisë me grupimin e vet Harxhi-Mano-Pollo-Kadilli. Bozdo është ai lloj “reformatori” që e ndërton projektin politik jo mbi idetë, por mbi testamentin imagjinar: “si të marrë partinë ditën që i hapet dera e bunkerit”.

Por bunkeri nuk mbahet vetëm me britma dhe dekor figurash të vjetra, ai ushqehet me raprezalje sistematike ndaj kujtdo që guxon të ketë mendim ndryshe. Përjashtimet, linçimet publike, presioni ndaj anëtarësisë dhe degëve lokale janë bërë mekanizmi kryesor i “unitetit”, duke larguar ose penguar sistematikisht çdo figurë me vlera, me mbështetës realë dhe me potencial për garë të ndershme brenda PD-së.

Kjo klimë spastrimesh të heshtura e ka bunkerizuar partinë deri në absurd. Garat janë thjesht formalitet, konkurentët realë skualifikohen me metoda procedurale, degët komandohen nga lart dhe anëtarësia mësohet të mos zgjedhë, por të duartrokasë. PD po kthehet përfundimisht në çiflig personal të Sali Berishës, me Flamur Nokën si kryeqehaja besnik që zbaton urdhrat, bën presion ndaj strukturave dhe kujdeset që asnjë frymë reale gare të mos hyjë brenda. Në vend të një partie moderne europiane, kemi një pronë private politike, ku vula është tapia, selia është saraj dhe anëtarët trajtohen si qiraxhinj të përkohshëm në shtëpinë e dikujt tjetër.

Fakti që ky teatër ka një kosto të lartë dhe se “bunkeri” vret xhepin e qytetarit është e vërteta më e dhimbshme jashtë mureve të selisë. Një opozitë që merret me veten është dhurata më e shtrenjtë që mund t’i bëhet pushtetit – një luks që Shqipëria nuk e përballon dot, por që Rama e shijon pa fije faji. Mungesa e një alternative serioze nuk është thjesht problem vule, por fatkeqësi ekonomike: publiku mbetet jetim politikisht, pa ide për taksat, pagat, investimet, ndërkohë që “reparti i disiplinës” te PD vazhdon stërvitjen me britma brenda rrethit të njëjtë.

Në këtë parti të burgosur brenda vetes, ku sensualiteti i njërës, britmat e tjetrit dhe kriticizmi steril i tjetrit nuk prodhojnë dot ndryshim, drama është e plotë. Siç thoshte Winston Churchill, “të përmirësohesh do të thotë të ndryshosh”; kjo PD ka zgjedhur të mos përmirësohet, për të mos rrezikuar të ndryshojë. Me rrugën që ka marrë – bunkerizim, raprezalje të brendshme, kult individi dhe përjashtim sistematik të çdo fryme të re – PD është e dënuar të tkurret gradualisht, të humbasë peshë elektorale dhe rrezikon realisht të kthehet në forcë të tretë, dekor opozitar, pa asnjë shans real për t’u rikthyer ndonjëherë në alternativë qeverisëse.

Sepse në fund të ditës, siç thotë populli:
“Lumi që nuk lëviz në shtratin e vet, mbetet kënetë.”

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *