Taulant Bino ka mbajtur fjalën e tij në ditën e tetë të protestës kundër ndërtimeve në Zvërnec, duke kritikuar ashpër mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen zonat e mbrojtura në Shqipëri.
Bino u shpreh se vendi vuan nga korrupsioni dhe kapja e shtetit, të cilat sipas tij çojnë në shfrytëzimin e zonave të mbrojtura për interesa fitimi.
“Shqipëria ka korrupsion, kapje të shtetit që sjellin ligjet, ka kapje nga oligarkia, klanet. Zvërneci është pjesë e zonave të mbrojtura të Shqipërisë. Duhet ta mbrojmë prej shekujsh”, u shpreh Bino.
Ai deklaroi gjithashtu se gjendja në terren është përkeqësuar, duke përmendur mbetje dhe dëmtime në zonë.
“Isha dje në Zvërnec dhe Akërni gjeta zhgënjim. E gjeta të shkatërruar. Plehra, shishe, tulla betoni. Vetëm turizëm elitar nuk gjeta”, tha ai.
Bino e cilësoi protestën si një “kryengritje për mbrojtjen e zonave të mbrojtura” dhe kërkoi anulimin e projekteve të planifikuara në zonë.
“Duhet të ngrihemi për ta mbrojtur atë… Projekti duhet anuluar. Ato dëme që pamë atje dikush të paguajë”, u shpreh ai.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur debati për zhvillimet në zonat e mbrojtura dhe ndikimin e tyre në mjedis po vijon të jetë i fortë në opinionin publik.
