Dy shtetas shqiptarë dhe një shtetas grek janë arrestuar nga policia greke pas një ngjarjeje të rëndë me plagosje dhe ndjekje policore në kryeqytetin grek.
Të arrestuarit shqiptarë janë Jerasimo Korkuti, 31 vjeç nga fshati Gjashtë i Sarandë, dhe Andi Beqiri, 27 vjeç nga Konispol. Së bashku me ta është arrestuar edhe një 30-vjeçar grek, i dyshuar si autori kryesor i plagosjes së një shtetasi pakistanez në një dyqan në zonën e Patisia.
Sipas autoriteteve, ngjarja ka ndodhur pasi një person i maskuar ka hyrë në dyqan dhe ka plagosur pronarin, ndërsa dyshohet se është shoqëruar nga një prej shqiptarëve të arrestuar. Pas sulmit, autorët janë larguar me një automjet tip BMW, i cili gjatë arratisjes është përplasur me disa mjete të tjera, përpara se të ndalohej nga policia.
Një tjetër person, gjithashtu i dyshuar si shqiptar, është ende në kërkim nga autoritetet greke.
Sipas hetimeve, ngjarja dyshohet të ketë lidhje me larje hesapesh, ndërsa një nga të arrestuarit shqiptar, Andi Beqiri, rezulton me precedentë penalë edhe në të kaluarën në Greqi, përfshirë raste të lidhura me armë zjarri dhe grupe kriminale.
Policia greke po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rolin e secilit të përfshirë dhe për të lokalizuar personin e katërt që është në arrati.
