Rënia e numrit të nxënësve që përfundojnë shkollën po kthehet në një sfidë serioze për arsimin parauniversitar në Shqipëri.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, gjatë vitit shkollor 2024-2025 u diplomuan gjithsej 82.640 nxënës dhe studentë në institucionet publike dhe jopublike të vendit, me një rënie të lehtë krahasuar me një vit më parë.
Pesha kryesore e kësaj tkurrjeje lidhet me uljen e numrit të diplomimeve në arsimin 9-vjeçar dhe në arsimin e mesëm të lartë.
Sipas analizës së përgjithshme, arsimi i lartë përbën 35% të totalit të të diplomuarve, i ndjekur nga arsimi 9-vjeçar me 33,5% dhe arsimi i mesëm i lartë me 31,4%. Ndërkohë, arsimi pas të mesëm jo i lartë zë vetëm 0,1% të totalit.
Rënie në arsimin parauniversitar
Në arsimin parauniversitar u diplomuan gjithsej 53.701 nxënës, duke shënuar një rënie prej 1,5% krahasuar me vitin shkollor paraardhës.
Në arsimin 9-vjeçar u diplomuan 27.682 nxënës, me një ulje të lehtë prej 0,1%. Vajzat përbënin 47,9% të totalit, ndërsa 89,3% e nxënësve përfunduan studimet në institucione publike.
Tkurrja rezulton më e fortë në arsimin e mesëm të lartë, ku u diplomuan 25.925 nxënës, ose 3% më pak krahasuar me një vit më parë.
Në këtë nivel, vajzat përbënin 51,3% të totalit të të diplomuarve. Vetëm 12,3% e nxënësve zgjodhën arsimin profesional, ndërsa pjesëmarrja e vajzave në këtë profil mbetet e ulët, në nivelin 15,7%.
Edhe në arsimin e mesëm, sektori publik mbetet dominues me 83,9% të diplomimeve.
Universitetet në rritje
Ndryshe nga arsimi parauniversitar, arsimi i lartë ka regjistruar një ecuri pozitive.
Gjatë vitit akademik 2024-2025, në universitetet shqiptare u diplomuan 28.939 studentë, ose 2,6% më shumë se një vit më parë.
Mbi gjysma e tyre, 50,6%, përfunduan programet Bachelor, ndërsa 43,4% u diplomuan në programe Master.
Vajzat vijojnë të dominojnë në universitet, duke përbërë 65,3% të të diplomuarve, ndërsa 66,6% e studentëve kanë përfunduar studimet në universitete publike.
Sa i përket degëve më të preferuara, studentët shqiptarë kanë zgjedhur kryesisht profilet e biznesit dhe shëndetësisë. Fusha “Biznes, administrim dhe ligj” kryeson me 23,3% të të diplomuarve, e ndjekur nga “Shëndet dhe mirëqenie” me 22,4% dhe “Inxhinieri, prodhim dhe ndërtim” me 14%.
Burimi: Monitor
