ALARMI I INSTAT/ SHQIPËRIA HUMBI MBI 32 MIJË TË PUNËSUAR NË MOSHË AKTIVE, PENSIONISTËT PO MBAJNË NË KËMBË TREGUN E PUNËS

ALARMI I INSTAT/ SHQIPËRIA HUMBI MBI 32 MIJË TË PUNËSUAR NË MOSHË AKTIVE, PENSIONISTËT PO MBAJNË NË KËMBË TREGUN E PUNËS

Tregu i punës në Shqipëri po përballet me një transformim shqetësues. Të dhënat zyrtare të INSTAT për tremujorin e parë të vitit 2026 tregojnë se numri i të punësuarve në moshë pune ka pësuar një rënie të ndjeshme, ndërsa roli i pensionistëve në ekonomi po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.

Sipas statistikave, numri i të punësuarve në popullsinë në moshë pune ra me 32.736 persona krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.

Goditjen më të fortë e ka pësuar grupmosha 15–29 vjeç, ku numri i të punësuarve është tkurrur me rreth 14.400 persona, ose 8% më pak në terma vjetorë. Kjo kategori përfaqëson potencialin më të madh të tregut të punës dhe burimin kryesor të inovacionit dhe përtëritjes së ekonomisë.

Rënie ka shënuar edhe grupmosha 30–64 vjeç, që konsiderohet shtylla kryesore e forcës punëtore në vend. Në këtë kategori, numri i të punësuarve është ulur me mbi 18 mijë persona, ose 2.1% më pak krahasuar me një vit më parë.

Në të kundërt, të dhënat tregojnë një rritje të fortë të punësimit te personat mbi 64 vjeç. Numri i pensionistëve që vazhdojnë të jenë aktivë në tregun e punës arriti në 140.713 persona, me një shtesë prej rreth 17.700 individësh, ose 14.4% më shumë se në tremujorin e parë të vitit 2025.

Si rezultat, pensionistët përbëjnë tashmë 12.2% të totalit të të punësuarve, nga 10.5% që përfaqësonin një vit më parë.

Emigracioni dhe plakja po ndryshojnë strukturën e tregut

Ekspertët e lidhin këtë prirje me një kombinim faktorësh, ku spikasin emigracioni i të rinjve, plakja e popullsisë dhe nevoja ekonomike që shtyn shumë të moshuar të vijojnë punën edhe pas daljes në pension.

Teksa vendi humbet me ritme të shpejta punonjës në moshë aktive, pjesëmarrja e të moshuarve po shërben si një mekanizëm përshtatës për të mbajtur funksional aktivitetin ekonomik.

Megjithatë, kjo situatë ngre shqetësime serioze për të ardhmen. Rënia e të rinjve dhe e grupmoshave aktive sinjalizon tkurrjen e bazës prodhuese të vendit dhe dobësimin gradual të potencialit ekonomik.

Janë pikërisht këto kategori që zakonisht mbajnë peshën kryesore të rritjes ekonomike, pasi janë më të prirura të adoptojnë teknologji të reja, të zhvillojnë sektorë inovativë dhe të krijojnë vlerë të shtuar.

Rreziku i një ekonomie me potencial më të ulët

Nga ana tjetër, rritja e punësimit te pensionistët nuk interpretohet si një zgjerim cilësor i tregut të punës, por më tepër si një përgjigje ndaj mungesës së fuqisë punëtore.

Shumë prej të moshuarve vazhdojnë të punojnë për shkak të nevojës ekonomike dhe shpesh angazhohen në aktivitete tradicionale, me produktivitet më të ulët dhe jo gjithmonë në sektorin formal.

Kjo prirje rrezikon ta orientojë ekonominë drejt një strukture më pak dinamike, me kapacitete më të kufizuara për inovacion dhe zhvillim.

Ndërkohë që ekonomia shqiptare ka nevojë për më shumë energji, aftësi digjitale dhe zgjerim për t’iu përshtatur transformimeve teknologjike globale, ajo po mbështetet gjithnjë e më shumë te një forcë pune që nuk është projektuar për të përballuar këto sfida afatgjata.

Nëse ky trend vijon, sfida nuk do të jetë vetëm mungesa e punonjësve, por rreziku që Shqipëria të funksionojë për vite me radhë me një potencial ekonomik dukshëm më të ulët sesa mundësitë reale që ka.

Burimi: Monitor.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *