Artisti i njohur shkodran Adrian Paci ka reaguar lidhur me vendimin e deputetes Marjana Koçeku për t’u tërhequr nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste dhe për të vijuar si deputete e pavarur.
Në një postim në rrjetet sociale, Paci e ka vlerësuar këtë hap si një vendim me domethënie politike dhe qytetare, duke theksuar se ai përfaqëson një sinjal reflektimi brenda klasës politike.
Sipas tij, dorëheqja nga grupi parlamentar tregon se pushteti nuk duhet parë si qëllim në vetvete, por si një përgjegjësi që kërkon vetëpërmbajtje dhe aftësi për t’u tërhequr kur është e nevojshme.
Paci shprehet se një vendim i tillë nuk duhet të shihet si dobësi, por si pjesë e një kulture politike më të shëndetshme, veçanërisht për ata që janë të mandatuar nga vota e qytetarëve.
Ai thekson gjithashtu nevojën për një “pakt të ri” mes shoqërisë dhe elitës politike, i cili, sipas tij, duhet të sjellë rregulla të reja loje dhe të sanksionojë qarkullimin e elitave si një mekanizëm që balancon stabilitetin me ndryshimin.
“Të lumtë Marjana për vendimin tand kurajoz e uroj që shumë të tjerë ta ndjekin për me i hapë rrugë një pakti të ri për një Shqipni ndryshe”, shkruan artisti në reagimin e tij.
Reagimi i Pacit ka nxitur diskutime në rrjet, duke u interpretuar si një thirrje më e gjerë për ndryshim në mënyrën se si funksionon përfaqësimi politik në vend.
