SPAK GODET NJË PREJ ORGANIZATAVE MË TË MËDHA KRIMINALE, 20 PERSONA NËN AKUZË PËR TRAFIK KOKAINE DHE PASTRIM PARASH

SPAK GODET NJË PREJ ORGANIZATAVE MË TË MËDHA KRIMINALE, 20 PERSONA NËN AKUZË PËR TRAFIK KOKAINE DHE PASTRIM PARASH

Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar këtë të premte një operacion të gjerë, duke goditur një nga organizatat kriminale më të mëdha të dyshuara për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim të milionave eurove në Shqipëri.

Me firmën e drejtuesit të SPAK, Altin Dumani, dhe prokurores Elida Kaçkini, janë lëshuar gjithsej 20 masa sigurie: 15 urdhra arresti me burg dhe 5 masa “arrest në shtëpi”. Hetimet lidhen me veprat penale të trafikut të kokainës, pastrimit të produkteve të veprës penale dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale.

Sipas dosjes hetimore, grupi dyshohet se trafikonte kokainë nga vende të Amerikës Latine, përfshirë Kolumbi, Ekuador, Bolivi, Surinam, Paraguai, Uruguai, Porto-Riko dhe Brazil drejt tregjeve europiane.

Sipas SPAK, fitimet e përfituara nga shitja e lëndëve narkotike pastroheshin më pas në Shqipëri përmes investimeve në sektorin e ndërtimit, resorteve luksoze dhe aktiviteteve të tjera ekonomike.

Në mesin e personave të dyshuar ndodhet edhe Artur Shehu, i cili po hetohet gjithashtu edhe për çështjen e tjetërsimit të pronave në Zvërnec. Sipas raportimeve, Shehu ndodhet prej afro tre dekadash në SHBA dhe nuk është arrestuar.

Në kërkim është shpallur edhe Artur Koçeku, i njohur edhe me emrin Luçiano Koçeku, i cili dyshohet se drejtonte një grup ndërkombëtar trafiku droge së bashku me vëllezërit e tij. Sipas hetimeve, ai ka pasur bazën e veprimit prej vitesh në Dubai.

Për dyshime të pastrimit të parave është caktuar masë arresti edhe për Ilir Shtufi, i konsideruar si një nga bashkëpunëtorët e afërt të Koçekëve në investimet në ndërtim. Ndërkohë, në pranga ka përfunduar biznesmeni Orest Sota.

Sipas dosjes, një tjetër grupim kriminal dyshohet se drejtohej nga Renato Hamzai, i cili përmendet edhe si pjesëmarrës në takimin e shumëpërfolur në Aruba, ku sipas hetimeve janë diskutuar çështje që lidhen me aktivitet kriminal.

SPAK pretendon se pastrimi i parave kryhej edhe përmes investimeve të realizuara nga vëllezërit Adrian Rama dhe Erjon Rama, si dhe nga Leonard Bishaj.

Gjithashtu, është arrestuar edhe Orgest Birçaj, për të cilin dyshohet se përdorte kompaninë e tij për të mbështetur aktivitetin e trafikut të drogës, ndërsa ndaj Edmond Jaupi është vendosur masa e arrestit në shtëpi.

Në kuadër të operacionit, SPAK ka sekuestruar pasuri me vlerë miliona euro, të lidhura me familjen Koçeku, Ilir Shtufin, vëllezërit Rama dhe persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në skemë. Hetuesit dyshojnë se këto investime janë përdorur për të fshehur origjinën e të ardhurave të përfituara nga trafiku ndërkombëtar i narkotikëve, përmes ndërtimit të resorteve luksoze dhe projekteve të tjera në jug të Shqipërisë.

Emrat e 20 personave ndaj të cilëve janë caktuar masa sigurie:

  • Artur Shehu
  • Ilir Shtufi
  • Ardian Zykaj
  • Alfredo Hamzai
  • Luciano (Artur) Koçeku
  • Dino (Abedin) Koçeku
  • Ervin Koçeku
  • Adrian Rama
  • Erjon Rama
  • Orgest Birçaj
  • Elton Memeti
  • Leonard Bishaj
  • Arben Ismaili
  • Edmond Jaupi
  • Orest Sota
  • Besnik Myftari
  • Dritan Aga
  • Astrit Vladi
  • Kastriot Vladi
  • Gëzim Islami

SPAK thekson se hetimet vijojnë dhe se personat e përfshirë në këtë procedim penal konsiderohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë të gjykatës.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *