Fatmir Mediu ka ndarë detaje nga pjesëmarrja në sesionin e 33-të të Asamblesë Parlamentare të OSBE, ku morën pjesë 57 delegacione parlamentare nga vendet anëtare, si dhe përfaqësues të lartë të Senatit dhe Kongresit amerikan.
Sipas Mediut, në takime është diskutuar për çështje të sigurisë ndërkombëtare, përfshirë luftën në Ukrainë, situatën në Lindjen e Mesme, si dhe sfidat globale të krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Ai theksoi se në fjalën e tij në Komitetin Politik ka ngritur shqetësime për situatën në Shqipëri, duke përmendur si problematika kryesore krimin e organizuar, korrupsionin, trafikun e drogës dhe atë që ai e cilëson si “kapje të shtetit”.
Mediu deklaroi se këto fenomene, sipas tij, përbëjnë rrezik për stabilitetin në Shqipëri dhe rajon, ndërsa shtoi se vendi po përjeton një situatë të vështirë politike, por edhe një “lëvizje qytetare” kundër qeverisjes aktuale.
Ai tha gjithashtu se ka zhvilluar një takim me kongresmenin amerikan Joe Wilson, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen ndaj Shqipërisë dhe angazhimin në çështjet e krimit të organizuar.
Në takimet e Asamblesë kanë folur gjithashtu përfaqësues të lartë nga Holanda, përfshirë kryeministrin dhe drejtues të parlamentit holandez.
Sesioni i OSBE-së vijon punimet me fokus në sigurinë ndërkombëtare dhe forcimin e institucioneve demokratike.

