Policia ka arrestuar një 20-vjeçar, i dyshuar si autor i zjarrit masiv që përfshiu fshatin Driza dhe zonat përreth, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe duke rrezikuar banesat e banorëve.
Sipas njoftimit zyrtar, shtetasi me iniciale N. J., banues në Drizë, dyshohet se kishte ndezur zjarr në tokën në pronësi të familjes së tij, me qëllim djegien e disa barishteve. Megjithatë, flakët kanë dalë jashtë kontrollit dhe janë përhapur me shpejtësi në një sipërfaqe të madhe.
Për shkak të rrezikut, policia ka evakuuar 12 familje, banesat e të cilave u kërcënuan nga përhapja e zjarrit.
Në operacionin për shuarjen e flakëve u angazhuan shërbimet zjarrfikëse, forcat e rendit, Forca Kombëtare e Sigurisë – Njësia Fier, si dhe helikopterë të Forcave të Armatosura. Pas ndërhyrjes së koordinuar, zjarri u vendos nën kontroll dhe u shua pa pasoja në njerëz.
Autoritetet po vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësisë ligjore të të arrestuarit.

