RAPORTI I OKB/ SHQIPËRIA MES VENDEVE KRYESORE TË TRANZITIT TË HEROINËS, DYFISHOHEN SEKUESTRIMET E KOKAINËS

RAPORTI I OKB/ SHQIPËRIA MES VENDEVE KRYESORE TË TRANZITIT TË HEROINËS, DYFISHOHEN SEKUESTRIMET E KOKAINËS

Shqipëria renditet nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin (UNODC) mes vendeve kryesore të nisjes ose tranzitit të ngarkesave të heroinës në Europë, sipas rasteve të sekuestrimeve të raportuara gjatë periudhës 2021–2024.

Në hartën e publikuar në aneksin statistikor të raportit “World Drug Report 2026”, Shqipëria përfshihet në kategorinë e shteteve të identifikuara si pika kryesore të origjinës ose tranzitit për dërgesat e heroinës.

Në Europë, krahas Shqipërisë, në të njëjtën kategori renditen edhe Turqia, Bullgaria, Greqia, Italia, Spanja, Franca, Belgjika dhe Holanda. Jashtë kontinentit europian, raporti përfshin vende si Afganistani, Irani, Pakistani, India, Kirgistani, Taxhikistani, si dhe disa shtete të Afrikës dhe Azisë.

Sipas UNODC-së, tregu global i opioidëve po kalon një periudhë transformimesh të rëndësishme. Ndalimi i kultivimit të opiumit në Afganistan në vitin 2022 ka sjellë një ulje të ndjeshme të prodhimit të opiumit dhe heroinës, ndërsa rritja e prodhimit në Mianmar nuk ka arritur të kompensojë këtë rënie.

Raporti paralajmëron se grupet kriminale mund të përshtaten duke ndryshuar rrugët e trafikimit, metodat e transportit dhe duke u orientuar drejt opioidëve sintetikë më të fuqishëm.

“Një ndërprerje e perceptuar ose reale në furnizimin me heroinë në tregjet kryesore të konsumit do t’i nxisë trafikantët të kërkojnë alternativa”, thuhet në raport, duke përmendur si zëvendësues të mundshëm substanca sintetike si fentanilet, nitazenet dhe opioidë të tjerë të rinj.

Dyfishim i sekuestrimeve të kokainës

Në një tjetër hartë të raportit, Shqipëria shfaqet ndër vendet europiane me rritjen më të fortë të sekuestrimeve të kokainës gjatë vitit 2024.

Sipas UNODC-së, vendi klasifikohet në grupin e shteteve ku sasitë e kapura të kokainës janë dyfishuar ose janë rritur edhe më shumë krahasuar me vitin 2023.

Raporti evidenton se trafiku i kokainës në Europën Perëndimore dhe Qendrore ka pësuar ndryshime të konsiderueshme, ndërsa përpjekjet e autoriteteve dhe bashkëpunimi ndërkombëtar kanë detyruar rrjetet kriminale të përshtatin rrugët dhe mënyrat e transportit.

Në periudhën 2014–2023, sasia e kokainës së sekuestruar në Europë është rritur shtatëfish. Megjithatë, gjatë vitit 2024, në disa vende është vërejtur rënie e pastërtisë së kokainës dhe e sasive të kapura, duke sugjeruar ndërprerje të përkohshme të flukseve dhe zhvendosje të pikave hyrëse.

Sipas raportit, qendrat kryesore të trafikut janë zhvendosur nga portet e Belgjikës, Gjermanisë dhe Holandës drejt Francës, Portugalisë dhe Spanjës. Ndërkohë, portet më të vogla po fitojnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në rrjetet ndërkombëtare të trafikimit.

UNODC vlerëson se, pavarësisht ndryshimeve në itineraret dhe metodat e përdorura nga grupet kriminale, flukset e kokainës drejt Europës Perëndimore dhe Qendrore vijojnë të mbeten në nivele të larta.

administrator

Related Articles

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *