Një shpërthim me lëndë plasëse, që paraprakisht dyshohet të ketë qenë tritol, është regjistruar rreth orës 04:00 të mëngjesit të kësaj të enjteje në një lokal në Vlorë.
Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në ambientet e biznesit, ndërsa është dëmtuar edhe një automjet i parkuar pranë vendit të ngjarjes.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e Policisë së Vlorës dhe grupi i ekspertizës kriminalistike, të cilët kanë nisur veprimet hetimore, këqyrjen e zonës dhe grumbullimin e provave materiale.
Fatmirësisht, nga shpërthimi nuk raportohet për persona të lënduar.
Autoritetet po punojnë për të përcaktuar llojin e saktë të lëndës plasëse të përdorur, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit apo autorëve të ngjarjes. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të këtij shpërthimi.

