Ndërsa liderët e NATO-s po përgatiten për samitin që do të mbahet javën e ardhshme në Turqi, planet për zhvillimin e samitit të aleancës në Shqipëri vitin e ardhshëm janë vënë në pikëpyetje, raporton Reuters.
Sipas raportimit, disa rezerva nga administrata amerikane dhe pakënaqësi e disa vendeve anëtare të NATO-s lidhur me nivelin e ulët të shpenzimeve të mbrojtjes nga Shqipëria kanë ndikuar në këtë situatë. Burimet për Reuters përfshijnë një diplomat të NATO-s, një zyrtar evropian dhe tre persona të njohur me çështjen.
Ata bëjnë të ditur se draft-deklarata e samitit që do të mbahet në Ankara nuk përfshin aktualisht zhvillimin e takimit të ardhshëm në Shqipëri, ndonëse një dokument i mëparshëm e parashikonte këtë.
Ky zhvillim ndodh në një moment kur vendet evropiane të NATO-s po kërkojnë të demonstrojnë përparim në angazhimet për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes dhe shmangien e tensioneve me Shtetet e Bashkuara.
Sipas burimeve të cituara, ekzistojnë edhe diskutime brenda aleancës mbi praktikën e mbajtjes së samiteve vjetore, çka shton më tej pasigurinë mbi planifikimet afatgjata.
Një prej personave të njohur me diskutimet tha për Reuters se niveli aktual i shpenzimeve të mbrojtjes në Shqipëri mund të krijojë shqetësime politike nëse vendi do të priste një samit në të ardhmen.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i qeverisë shqiptare deklaroi për Reuters se “draftet janë drafte, jo vendime”, duke theksuar se dokumentet janë ende në proces negociatash dhe mund të ndryshojnë.
Shtëpia e Bardhë nuk ka pranuar të komentojë mbi çështjen, ndërsa një zyrtar i NATO-s është shprehur se nuk ka koment të menjëhershëm.

